Qendërmbrojtësi Illia Zabarnyi e ka kompletuar transferimin te skuadra e Paris Saint-Germainit.
Ukrainasi me fituesin e Ligës së Kampionëve ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare.
Parisi i ka paguar 63 milionë euro Bournemouthit për shërbimet e mbrojtësit të talentuar.
Zabarnyi është lojtari i parë ukrainas në historinë e parisienëve. Ai te gjiganti francez do ta veshë fanellën me numrin gjashtë.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem Paris Saint-Germainit, klubit më të mirë në botë, me projektin më të mirë. Jam këtu për të dhënë gjithçka që kam në fushë dhe mezi pres të debutoj dhe të takohem me tifozët”, ka thënë 22-vjeçari të martën për faqen zyrtare të Parisit.
Te Parisi së fundi u transferua edhe portieri Lucas Chevalier.
Zabarnyi pjesë e Bournemouthit ishte nga viti 2023 kur u transferua nga Dinamo Kievi për 22 milionë euro.
Me Përfaqësuesen e Ukrainës ka zhvilluar 49 ndeshje dhe ka tre gola të shënuar.