Xherdan Shaqiri ka humbur penalltinë e tretë rresht në Superligën e Zvicrës në futboll.
Të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e Baselit ndaj Luzernit, Shaqiri gjuajti mbi portë nga pika e bardhë. Dhe kjo nuk ishte penalltia e parë e humbur e Shaqirit. Ishte e treta rresht. Ai kishte dështuar të realizojë penallti edhe ndaj Luganos e po ashtu ndaj St. Gallenit. Ai ka edhe një penallti të humbur nga ndeshja për Kupë ndaj Etolie Carouge.
Gjatë gjithë karrierës Shaqiri është njohur si ekzekutues i saktë i penalltive.
Në ndeshjen ndaj Luzernit ai është ankuar në gjendjen e fushës pasi gjuajti lart mbi portë.
A ka të bëjë kjo seri negative me presionin. Legjenda zvicerane e futbollit, Alex Frei, thotë që jo. Frei tani është ekspert i futbollit në “Blue Sport”. Dhe mendon që Shaqiri duhet të heqë dorë nga penalltitë.
“Jo, nuk ka të bëjë asgjë me presionin. Edhe unë kam humbur penallti, por jo tri rresht. Mendoj se nuk i kam humbur as dy rresht. Por me penalltinë e tretë të humbur duhet ta kuptosh vetë që je në radhë për të gjuajtur penallti, kur atë duhet ta gjuajë edhe lojtari i 17-të”, ka thënë Frei.
Ish-sulmuesi i njohur ka shtuar se vlerëson shumë Shaqirin, por se tri dështime rresht janë shumë.
Eksperti tjetër, Daniel Gygax, beson se Shaqiri duhet ta marrë përgjegjësinë sërish, bazuar në përvojën që e ka. Por Frei, që ka 84 paraqitje e 42 gola për Zvicrën, nuk pajtohet.
“Duhet që të tjerët ta marrin topin. Nuk mund të më thuash që është aq e vështirë”, ka theksuar Frei.
Trajneri i Baselit, Ludovic Magnin, ka treguar se ishte i bindur që Shaqiri do të realizonte nga penalltia.
“Nuk më ka ndodhur të humbim pesë penallti rresht”, ka thënë Magnin për “Blue Sport”.
“Në futboll vazhdimisht sheh diçka të re. Më mirë nuk po them se çka kam menduar kur Shaqiri nuk shënoi”.
Edhe Philip Otele e humbi një penallti në këtë seri, pos Shaqiri katër.
Në fitoren 2:1 ndaj Luzernit, Baseli fitoi tjetër penallti pas asaj të gjuajtur nga Shaqiri. Përgjegjësinë e mori rezervisti Koba Koindredi dhe ai realizoi.
Trajneri Magnin ka theksuar se është shumë e rëndësishme që ajo seri e huqjeve përfundoi.
Shaqiri mbetet lojtari vendimtar i kampionit të Zvicrës, Baselit.