Futboll

Tolaj, sulmuesi që po krahasohet me Haalandin

Lorent Tolaj

Sulmuesi kosovar, Lorent Tolaj, herët u largua nga Zvicra për ta kërkuar fatin e futbollit në Angli. Ka hasur në vështrësi në fillim, por zhvillimi i tij më pas ishte i hovshëm. 

Tolaj luan në kategorinë e tretë të Anglisë, te skuadra Plymouth, ndërsa është prej shënuesve më të mirë në kampionat. Aktualisht i ka 12 gola në 23 ndeshje të luajtura. Dominic Ballard i Leyton Orient e kryeson listën me tre gola më shumë. 

24-vjeçari Tolaj krahasohet me Erling Haalandin për stilin e lojës, por edhe për numrin e madh të golave që i shënon. 

Radiotelevizioni zviceran ka përmendur të mërkurën disa prej statistikave që ai i ka regjistruar në vitin e kaluar. Dhe ato janë mbresëlënëse.

“Shpeshherë krahasohet me Haalandin. Lorent Tolaj është golashënuesi i tretë më i mirë në katër kategoritë e para të futbollit në Angli”, ka shkruar sajti i televizionit zviceran për sulmuesin shtatlartë. 

Në moshën 16-vjeçare Tolaj u largua nga Sioni. Dhe bashkë me familjen e tij u vendos në Brighton të Anglisë. Ishte pjesë e të rinjve të Zvicrës, në grupmoshat U17, U18 dhe U19. Në nivelin e seniorëve ende nuk ka paraqitje për ndonjë përfaqësuese. 

“Me Zvicrën U19, ai shkëlqeu duke shënuar tetë gola kundër Gjibraltarit në kualifikimet e Ervopianit. Ai ishte pranë kalimit në Premier League, por për fat të keq, ndërmjet viteve 2018 dhe 2023, ishte i lënduar shumë seriozisht dhe bëri karrierë si i huazuar në kategori më të ulëta të futbollit anglez”, ka shkruar mediumi zviceran. 

Tolaj vlerësohet si futbollist me karakter të fortë, pasi lëndimet nuk e ndalën. Ai me vetëbesim vazhdoi para. Në verën e vitit 2023, nënshkroi për një ekip të kategorisë së pestë të futbollit anglez dhe më pas nisi rritja e madhe. 

“Ai shënon vazhdimisht gola dhe me paraqitje shumë të mira e fitoi rastin t’i bashkohej Plymouth Argyles në kategorinë e tretë. Në vitin 2025 i shënoi 23 gola. Në Angli, vetëm Erling Haaland i Manchester Cityt dhe Michael Cheek i Bromleyt të kategorisë së katërt shënuan më shumë gola se sulmuesi zvicerano-kosovar”, ka shtuar tutje mediumi helvetik. 

Radiotelevizioni zviceran ka pyetur nëse rrugëtimi i tij do të vazhdojë në “Championship” apo edhe në Premier League. 

Rrugëtimi i Tolajt mund të vazhdojë edhe në Skoci, sipas disa raportimeve së fundmi. 
“Daily Record” ka shkruar se skuadra e madhe skoceze, Celtic, është duke e monitoruar situatën e 24-vjeçarit. 

Raportohet se transferimi mund të bëhet në verë për afro 6 milionë euro.