Shkëndija e Tetovës e ka eliminuar skuadrën uellsiane, The New Saints, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e kthimit është zhvilluar të martën mbrëma në Shkup. Shkëndija fitoi 2:1 pas vazhdimeve, ndërsa ndeshja e parë përfundoi 0:0.
Por skuadra uellsiane, e njohur shkurt si TNS, pretendon se një lojtar i saj është fyer në baza racore nga një shikues në stadium.
“Klubi New Saint Fc dënon fuqishëm abuzimin racist drejtuar ndaj Aramid Oteh nga një anëtar i tifozëve vendas, pas përfundimit të ndeshjes me Shkëndijën. Nuk ka absolutisht asnjë vend për racizëm, as në futboll dhe as në shoqëri. Të gjithë në klub i ofrojnë mbështetje të plotë Aramidit”, shkruan në një komunikatë të TNS.
Anglezi Oteh luajti si zëvendësues. Ai është te TNS nga viti 2024. Trajneri Craig Harrison ka theksuar se Oteh ka qarë pas ndeshjes.
“Ai ka qarë, kjo nuk ndodh pa arsye. Është e qartë ajo që është thënë dhe që është bërë. Është e papranueshme. Do ta raportojmë. Që një tifoz t’i flasë dikujt në këtë mënyrë është turp i madh. Le të shpresojmë që fajtori do të marrë një ndëshkim të drejtë”, ka thënë Harrison.