Futboll

Te Serbia thonë se Shqipëria meriton respekt

Serbia

Futbollistët e përfaqësueses së Serbisë në futboll, të premten do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku një ditë më vonë, të shtunën, do ta zhvillojnë ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Testi i parë i Serbisë është në Tiranë, të shtunën, në Arenën Kombëtare në Tiranë. Ndeshja Shqipëri – Serbi nis në orën 20:45 dhe do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie.

Te Serbia e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme, por edhe të vështirë përballjen kundër kombëtares kuqezi.

Si për Serbinë, ashtu edhe Shqipërinë, ndeshja në Tiranë vlerësohet e rëndësishme për rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026. Anglia është favorite e madhe për vendin e parë në grup, ndërsa Shqipëria dhe Serbia pritet të garojnë për vendin e dytë.

Futbollisti i huazuar së fundi te Braga nga Sassuolo, Urosh Raçiq, ka folur për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Ai ka pasur mundësi të luajë kundër lojtarëve shqiptarë, por edhe t’i ketë si shokë skuadre. Raçiq i ka vlerësuar lart lojtarët e Shqipërisë.

“Unë njoh shumë lojtarë shqiptarë, kam pasur shokë skuadre te Sassuolo. Ata janë një ekip i mirë kombëtar. Është kundërshtar i madh. Janë një kundërshtar i fortë dhe i vështirë. Meritojnë respekt, si të gjitha ekipet e tjera kombëtare. Mund ta shoh se mezi presin ndeshjen ndaj nesh, njësoj si ne. Kështu që, gjithçka do të shihet në fushë. Në Evropian lanë përshtypje të mirë, luftuan, luajtën si ekip”, ka thënë Raçiq për Federatën e Futbollit të Serbisë.

Shqipëria e Serbia janë përballur dy herë në të kaluarën. Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Beograd më 14 tetor 2014, ishte ndërprerë pas tensioneve.

Lojtarët e Shqipërisë u sulmuan fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit.

UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS),  ndërsa në ndeshjen kthyese në Elbasan, në vitin 2015 kishte përfunduar 2:0, në të mirë të serbeve. Në Elbasan, ndeshja ishte zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Njëjtë do të jetë edhe të shtunën në Tiranë.

Raçiq është kthyer në ekipin e Serbisë pas paraqitjeve të mira te skuadra e Bragës në Portugali.

Ai ka thënë se synimi i Serbisë është kualifikimi për herë të tretë në Botëror. Por, thotë se ka ende kohë për të menduar për kualifikim.

“Për mua, dhe besoj për të gjithë të tjerët, çdo ndeshje është një motiv i madh. Do të ishte shumë mirë nëse do të vazhdonim me rezultate të mira, duke u kualifikuar për ngjarje të mëdha”, ka theksuar ai.

Pas ndeshjes me Shqipërinë, Serbia në Leskovc, më 10 shtator e pret Andorrën.