Futboll

Të dhëna interesante për shortin e Botërorit

Botërori 2026

Një ditë pas shortit të tërhequr në Washington, shtëpia botërore e futbollit ka publikuar një numër të madh të statistikave për futbollistë e trajnerë. Dhe të gjitha që i ka publikuar të shtunën FIFA në faqen zyrtare, premtojnë spektakël në Botërorin 2026 që në verën tjetër organizohet në Kanada, Meksikë e SHBA.

Botërori nis më 11 qershor, ndërsa mbaron më 19 korrik. Pjesëmarrëse do të jenë 48 përfaqësuese. Në garë për t’u kualifikuar direkt janë edhe Kosova dhe Shqipëria. Të dyja e kërkojnë avancimin direkt në Botëror nëpërmjet plejofit. Kosova ndeshjen gjysmëfinale e luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë. Nëse fiton, në Prishtinë më 31 mars e pret fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania. Shqipëria luan në udhëtim te Polonia fillimisht, e më pas nëse fiton, luan në udhëtim te fituesi i ndeshjes Ukraina – Suedia.

478

Superylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, e mban rekordin te futbollistët në nivelin e përfaqësueseve me 226 ndeshje, ndërsa ikonat e Kolumbisë, David Ospina dhe James Rodriguez, kanë luajtur në 130, respektivisht 122 ndeshje. Kjo treshe mund të jetë në fushë së bashku më 27 qershor.

79

Brazili do të luajë ndaj Haitit më 19 qershor. Në ditën kur u tërhoq shorti, të premten, “Seleçao” ishte 79 pozita më lartë se Haiti në ranglistën e FIFA-s – që është dallimi më i madh i përfaqësueseve që do të luajnë ndaj njëra-tjetrës. Distanca më e madhe në ranglistë kur dy përfaqësuese janë përballur me njëra-tjetrën në Botëror, ishte në vitin 2010 në Afrikën e Jugut. Brazili në atë kohë ishte i pari, ndërsa luajti ndaj Koresë së Veriut, që ishte e 105-ta.

55

Erling Haalandi i Norvegjisë do të përballet me Kylian Mbappen e Francës në Grupin I. Të dy sulmuesit kanë shënuar nga 55 gola me përfaqësueset e tyre. Haalandi është golashënuesi më i mirë në histori të Norvegjisë, ndërsa Mbappes i duhen edhe tri gola për ta regjistruar të njëjtin sukses. Do ta kalonte Olivier Giroudin.

40

Do të ketë diferencë prej 40 vjetëve ndërmjet përzgjedhësit të Kuraçaos, Dick Advocaat dhe Julian Nagelsmannit të Gjermanisë, kur kjo dyshe të përballet më 14 qershor. Holandezi 78-vjeçar do të bëhet përzgjedhësi më i vjetër në turne, duke e thyer rekordin e Otto Rehhagelit. Gjermani ishte 71 vjeç e 317 ditë kur Greqia e tij në atë kohë u mposht nga Argjentina në ndeshjen e fundit të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut.

20

Në fazën grupore do të luhen 20 ndeshje të cilat nuk janë luajtur më parë. Katër herë kampionia botërore, Gjermania, do të përballet me Kuraçaon, ndërsa fituesja në fuqi, Argjentina, do të luajë ndaj Jordanisë. Këto janë vetëm dy prej atyre ndeshjeve.

12

Nëse Italia avancon nga plejofi dhe rreshtohet në Grupin B, të gjitha 12 grupet do ta kenë të paktën një përfaqësuese që më herët kanë shkuar deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Grupi C, Grupi H, Grupi J dhe Grupi L kanë nga dy ekipe që e kanë regjistruar këtë sukses, ndërsa Republika e Koresë në Grupi A dhe SHBA-ja në Grupin D, e kanë arritur gjysmëfinalen nga një herë.

5

Brazili dhe Skocia do të takohen për herë të pestë në fazën grupore. Pesë herë janë takuar edhe Argjentina me Nigerinë.

4

Nëse Italia, që ishte nikoqire e Botërorit 1934 dhe 1990, e fiton plejofin, të gjitha katër përfaqësueset e Grupit B kanë qenë nikoqire të turneut. Kanadaja do të jetë bashkëorganizatore, Katari e organizoi në vitin 2022, ndërsa Zvicra ishte organizatore në vitin 1954. Herën e fundit kur kjo ndodhi ishte në vitin 2018. Suedia, Meksika, Republika e Koresë dhe Gjermania ishin në Grupin F.

4

Katër përfaqësuese që do të luajnë në Botëror do të përballen me përfaqësuese ndaj të cilave i kanë regjistruar fitoret më të thella. Maroku e mposhti Skocinë 3:0 në vitin 1998 dhe përsëri do të luajnë në Grupin C. SHBA-ja fitoi 3:0 në turneun inaugurues në vitin 1930, dhe ndeshjen e parë do ta luajë ndaj përfaqësueses amerikano-jugore. Japonia fitoi 2:0 ndaj Tunizisë në vitin 2002 dhe tani do të jenë në Grupin F. Anglia ndërkohë, e shkatërroi Panamanë 6:1 në vitin 2018. “Tre Luanët” do të luajnë sërish ndaj Panamasë në Grupin L.

3

Brazili, Maroku dhe Skocia ishin në një grup në vitin 1998, njësoj si tani. Në Francë, Brazili avancoi nga vendi i parë deri në finale, Norvegjia ishte e dyta kurse Maroku në vendin e tretë. Skocia që nuk ka luajtur në Botëror prej asaj kohe, përfundoi e fundit. Grupi C, rastësisht, është po ashtu grupi i përfaqësueseve me pjesëmarrjen më të madhe së bashku në Kupë të Botës, gjithsej 41. Përfshirë vitin 2026, Brazili e mban rekordin me 23 paraqitje në Botëror, Skocia me nëntë, Maroku me shtatë dhe Haiti me dy pjesëmarrje.

1

Njësoj si në vitin 2010, Meksika do ta hapë Botërorin me ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut. Nga 19 turnetë e kaluar, kjo është hera e parë që ndeshja hapëse përsëritet.