Deçiqi i Tuzit ka barazuar 1:1 me Buduqnostin, të martën mbrëma. Kështu skuadra shqiptare, Deçiqi, ka mbajtur pozitën e parë në tabelën e kampionatit të Malit të Zi në futboll.
Pas 29 xhirosh, Deçiqi udhëheq në tabelë me 54 pikë. Buduqnosti i Podgoricës është i dyti me 51 pikë.
Deçiqi kaloi në epërsi në minutën e dhjetë, ndërsa Buduqnosti barazoi shifrat në minutën e 64-t.
Ndeshja është përcjellë me incident. Për shkak të hedhjes së mjeteve të zjarrta në fushën e lojës nga tifozët e Buduqnostit, ndeshja u ndërpre për 55 minuta.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe shtatë xhiro. Deçiqi ka bilanc më të mirë se Buduqnosti në ndeshjet e ndërsjella.