Ashtu siç iu duhej për ta siguruar për herë të parë plejofin për kualifikim në Botëror, ashtu edhe ndodhi. Shqipëria e fitoi Andorrën 1:0, ndërsa Serbia humbi 2:0 nga Anglia të enjten mbrëma, në ndeshjet e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kuqezinjtë fituan në Encamp të Andorrës 1:0 me golin e vetëm të realizuar nga mesfushori Kristjan Asllani.

Asllani shënoi gol me goditje të saktë pas asistimit të Myrto Uzunit. Aksionin e golit e nisi Nedim Bajrami, i cili fillimisht u lirua nga një futbollist i Andorrës, pasoi tek Uzuni, i cili më pas asistoi për Asllanin që shënoi golin e fitores së madhe.

Bajrami e Uzuni u inkuadruan në fushë shtatë minuta para se Asllani ta shënonte golin e fitores që ia siguroi për herë të parë Shqipërisë paraqitjen në pljeofin për Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Shqipëria është në vendin e dytë me 14 pikë, kurse Serbia në pozitën e tretë me katër pikë më pak. Anglia e ka siguruar kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Shqipëria e Anglia do të përballen në Tiranë në ndeshjen e fundit kualifikuese. Ndeshja luhet të dielën dhe do të jetë festive.

Në fakt, kuqezinjtë kanë nisur festën e madhe. Ata festuan në fushë së bashku me një numër të madhe të shikuesve që kishin udhëtuar në Andorrë për t’i përkrahur.

Shqipëria dominoi ndeshjen. Në fund të pjesës së parë, Shqipëria nëpërmjet kapitenit Berat Gjimshiti qëlloi traversën.

Pas dy paraqitjeve në Evropian, Shqipëria do ta kërkojë nëpërmjet plejofit kualifikimin në Botëror. Ndeshjet e plejofit luhen në mars.

Ajeti: Jemi në festë të gjithë, është diçka historike për ne

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:40
Berat Gjimshiti e Arlind Ajeti

Një nga mbrojtësit më të mirë të Shqipërisë, Arlind Ajeti, ka thënë se të gjithë janë në festë pas arritjes në plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm. 

“Jemi në festë të gjithë, është diçka historike për ne”, ka thënë Ajeti. “Sfidat janë pjesë e jetës, varet se si i kalon. Gjithmonë jam munduar të jem pozitiv. Besoj që kombëtarja më ka dhënë shumë që nga dita e parë. Deri tani ka dalë mirë dhe uroj të vazhdojmë tutje”.

Sylvinho: Krenar që i kemi bërë të lumtur 10 milionë shqiptarë

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:30
Sylvinho

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, është i lumtur që siguroi plejofin për kualifikim në Botëror. Ai është i lumtur që miliona shqiptarë i janë gëzuar këtij suksesi historik. 

“Jam krenar që është hera e parë që arrijmë këtu dhe është kënaqësi për gjithë 10 milionë shqiptarët. Për ne si Federatë si kombëtare është arritje e madhe. E dija se do të jetë ndeshje e vështirë. Sot futbolli është modern dhe ka rritje te secili ekip. Ishte skuadër e vështirë për t’u fituar, por jam krenar me arritjen”, ka thënë Sylvinho. 

Ai ka folur edhe për ndeshjen kundër Anglisë në Tiranë të dielën. 

“Do të jemi në fushë ndaj një prej kombëtareve më të mira në botë. Është e rëndësishme që jemi në plejof një ndeshje para fundit të ciklit. Nuk kam menduar ende për ndeshjen ndaj Anglisë, por shpejtë do të nisim punën për atë përballje”, ka thënë Sylvinho. 

Po ashtu ka uruar që Kosova ta sigurojë kualifikimin në Botëror. 

“Shpresojmë edhe Kosova të vazhdojë para”, ka thënë Sylvinho.

Manaj flet për përballjen e mundshme me Kosovën në plejof

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:24
Rey Manaj

Sulmuesi Rey Manaj ka folur për mundësinë e përballjes së Shqipërisë ndaj Kosovës në pljeofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Kosovës i duhet një pikë ndaj Sllovenisë të shtunën për të siguruar pljeofin, ashtu siç Shqipëria bëri të enjten mbrëma. 

“Ne kemi arritur në pljeof, kemi bërë ndeshje të mira gjatë këtij cikli. Tani kemi ndeshje ndaj Anglisë, por me vëmendjen në mars. Shpresojmë të mos jetë Kosova kundërshtari në plejof. Por nëse njëra prej tyre siguron kalimin, nga njëra anë do të jemi të mërzitur dhe nga ana tjetër do të gëzoheshim që shqiptarët do të ishin në Botëor”, ka thënë Manaj.

Ai ka thënë se ndeshja kundër Andorrës ishte e vështirë. 

“E dinim se do të jetë ndeshje e vështirë, pasi Andorra qëndron prapa si ekip. Jo gjithmonë shkojnë gjërat siç dëshiron. Në pjesën e dytë e rëndësishme ishte që fituam dhe siguruam plejofin. Vëmendja do të jetë në mars për të siguruar Botërorin”, ka thënë Manaj.

Ai ka falënderuar edhe për përkrahjen që ka marrë nga pas golit ndaj Serbisë në Leskovc.

Hoxha uron që edhe Kosova ta sigurojë plejofin

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:19
Arbër Hoxha

Arbër Hoxha është prej lojtarëve më të mirë te Dinamo Zagrebi. I rëndësishëm është bërë edhe te Shqipëria. Hoxha ishte në fushë titullar në fitoren 1:0 të Shqipërisë në udhëtim tek Andorra. Me fitore, Shqipëria e siguroi plejofin për Botëror. 

Ai më parë ka luajtur edhe për Kosovën, por vendosi më pas të vazhdojë te Shqipëria. 

Pas avancimit në plejof, Hoxha shpreson që edhe Kosova ta sigurojë plejofin.  Kosova e siguron plejofin nëse barazon të shtunën me Slloveninë në udhëtim. 

“I uroj më të mirat Kosovës. Jam nga Kosova, e shikoj kur luan dhe shpresoj që edhe Kosova ta arrijë Botërorin”, ka deklaruar Hoxha. 

Hoxha e pranoi se festa ka qenë e madhe pas fitores ndaj Andorrës.  

“Festuam shumë normal. Në pjesën e dytë ndryshuam qasjen dhe na duhej fitorja. Çdo minutë që kalonte na vështirësoheshin punët. Por shënuam dhe siguruam fitoren. Është kënaqësi të luash për Kombëtaren. Jam në ritëm të mirë edhe tek ekipi im. Jam në ritëm të lartë dhe uroj të korr suksese. Gjithmonë Kombëtarja ta jep një emocion të madh, dhe është prej sukseseve më të mëdha”, tha Hoxha.

Hoxha tregoi se Shqipëria pati telashe ndaj Andorrës, përfaqësuese që u mbrojt shumë. 

“Kur luan ndaj ekipeve si Andorra që renditet me pesë mbrojtje, apo me 10 në mbrojtje, nuk ke shumë hapësira. Në pjesën e dytë ikëm gjithë përpara dhe arritëm te goli. Në pjesën e parë nuk ishim mirë, por krijuam shumë raste në pjesën e dytë dhe fituam. Broja ka kualitete por nuk pata situata një kundër një, pasi kishte dy apo tre lojtarë afër”, deklaroi ai.

Asllani: Kemi bërë realitet një gjë të vështirë

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:17
Kristjan Asllani

Mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani, është i lumtur për golin që ia siguroi fitoren Shqipërisë ndaj Andorrës. Por ai ka thënë se më i lumtur është që Shqipëria siguroi plejofin për kualifikim në Botëror.

“Është historike, jemi të lumtur sepse Shqipëria nuk kishte arritur asnjëherë në këtë situatë. Kemi ndeshje me Anglinë dhe duhet të bëjmë ndeshje serioze. Për ne është kjo natë historike. Stadiumi ndaj Anglisë do të jetë plot dhe jemi të lumtur, por ne duhet të bëjmë ndeshje serioze dhe do të luajmë për ta fituar ndeshjen. Anglia ka skuadër të fortë dhe do të jetë e vështirë”, ka thënë Asllani.

Ai ka thënë se golin ia dedikon babait të tij.

“Ia dedikoj babait tim, sepse ka bërë sakrificë të madhe për mua”, ka theksuar Asllani.

Asllani nuk mendon se ishte ndeshja më e mirë e karrierës. Por shton se ishte fitore historike.

“Po mendoj vetëm për këtë fitore dhe kemi bërë realitet një gjë të vështirë”, ka thënë Asllani.

Duka nuk dëshiron përballje me Kosovën: Do na vriste njërin nga ne

2 muaj më parë / 13 nën 2025 23:08
Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është i lumtur për fitoren ndaj Andorrës. Ai ka thënë se ëndrra e Shqipërisë për të siguruar kualifikimin në Botëror vazhdon.

“Vazhdojmë ëndrrën tonë për Kupën e Botës. Plejofi do të na përballë me skuadra të forta. Por ne do të luftojmë dhe uroj t’ia dalim”, ka thënë Duka.

Ai uron që edhe Kosova ta sigurojë plejofin për Botëror, por ka thënë se nuk do të donte përballje me “Dardanët” në plejof.

“Besoj se tashmë është shumë afër pljeofit, por duhet t’i vlerësojë dy ndeshjet e fundit për ta prekur plejofin”, ka theksuar Duka. “Absolutisht nuk do ta dëshiroja (përballjen). Do të vriste njërin nga ne”.

Goooolllll, Asllani shënon golin e epërsisë ndaj Andorrës

2 muaj më parë / 13 nën 2025 22:09
Kristjan Asllani

Kristjan Asllani ka shënuar golin e epërsisë për Shqipërinë ndaj Andorrës. 

Asllani shënoi golin e epërsisë në minutën e 68-të.

Shqipëria e nis furishëm pjesën e dytë, gjuajtja e Hoxhës bllokohet

2 muaj më parë / 13 nën 2025 21:49
Arbër Hoxha

Shqipëria e ka nisur furishëm pjesën e dytë ndaj Andorrës. 

Por gjuajtja e Arbër Hoxhës u bllokua nga një mbrojtës i Andorrës.
 

Shqipëria dominoi pjesën e parë, qëlloi edhe traversën

2 muaj më parë / 13 nën 2025 21:36
shqiperia

Futbollistët e Shqipërisë dominuan plotësisht në pjesën e parë të ndeshjes kundër Andorrës. Por kuqezinjtë nuk arritën të shënojnë gol, ndonëse në fund të pjesës së parë, kapiteni Berat Gjimshiti qëlloi traversën.

Shqipëria pati posedimin e topit 72 %, ndërsa në total kishte shtatë gjuajtje.

Ndeshja Andorrë – Shqipëri i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Shqipërisë i duhet fitorja dhe humbja e Serbisë nga Anglia për të siguruar plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Shqipëria me rastin e parë të mirë ndaj Andorrës

2 muaj më parë / 13 nën 2025 21:05
Kristjan ASllani

Mesfushori Kristjan Asllani ka gjuajtur mbi portë në minutën e 18-të. 

Ai gjuajti mbi portë nga gjuajtja e lirë në rastin e parë të mirë të Shqipërisë.

Shqipëria dominon në fushë, por ende pa rast të mirë për gol

2 muaj më parë / 13 nën 2025 21:01
Andorra - Shqipëria

Shqipëria ka përqindjen më të lartë të posedimit të topit gjatë 15 minutave të para të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Andorrës.

Shumë shikues e flamuj të Shqipërisë në Andorrë

2 muaj më parë / 13 nën 2025 20:52
Shumë shikues e flamuj të Shqipërisë në Andorrë

Futbollistët e Shqipërisë kanë përkrahje të madhe nga tribunat në ndeshjen vendimtare kundër Andorrës. Shihen edhe shumë flamuj të Shqipërisë.

Ndeshja Andorrë – Shqipëri i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Është ndeshja e parafundit për të dyja përfaqësueset.

Përbërja startuese e Shqipërisë kundër Andorrës

2 muaj më parë / 13 nën 2025 19:21
Manaj

Photo: Associated Press

Përzgjedhësi i Shqipërise në futboll, Sylvinho e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen vendimtare kunder Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Ndaj Andorrës, Shqipëria luan me formacion sulmues. Rey Manaj do te pêrkrahet në supm nga Arbër Hoxha dhe Armando Broja.
Ndeshja nis nga ora 20:45.