Futboll

Shala tregon për futbollin në Uzbekistan dhe përballjen me Benzeman e Kanten

Adenis Shala Benzema

Adenis Shala dhe Karim Benzema

Pas periudhës shumë të suksesshme te Shkëndija e Tetovës, Adenis Shala e vazhdoi karrierën në kampionatin pak të njohur të Uzbekistanit. Në verë ai firmosi për një vit e gjysmë me skuadrën Nasaf, që e fitoi titullin e kampionit në vitin 2024. Në Uzbekistan ka përfunduar edhe kampionati i vitit 2025, ndërsa Nasafi përfundoi i treti.

Por kjo skuadër paraqitet në Ligën e Kampionëve të Azisë, kurse Shala ditë më parë e kishte rastin të përballej prej dy lojtarëve më të mirë të dekadës së fundit. 

Nasaf Qarshi luajti me skuadrën e madhe arabe, Al Ittihad, për të cilën golin e fitores e shënoi dikur ylli i Real Madridit, Karim Benzema. N’Golo Kante luan po ashtu për Al Ittihadin, njëjtë si Mario Mitaj i Shqipërisë.

Shala në verë firmosi për një vit e gjysmë me skuadrën Nasaf

“Ishin katër vjet të shkëlqyer te Shkëndija. U rrita shumë si lojtar te ky klub. Ndërkohë erdhi kalimi në Uzbekistan, që u realizua pas disa kontakteve që kishte trajneri kondicional te Shkëndija, Ivan Karas, në bashkëpunim me agjentët e mi, Ymer dhe Enver Stanovci”, ka thënë Shala për KOHËN.

Në Uzbekistan janë edhe disa futbollistë shqiptarë. Klubet lejohen t’i kenë deri në gjashtë të huaj gjatë një kampionati. 

“Futbolli në Uzbekistan dita-ditës po shkon duke u rritur. Mendoj që pas disa vjetëve do të jetë ligë shumë më e fortë se që është tani. Futbolli në Uzbekistan dallon shumë me kampionatet tona dhe duhet kohë për ambientimin e duhur”, ka theksuar Shala, që kryesisht luan në krahun e majtë.
27-vjeçari në Kosovë ka luajtur për skuadra si Trepça ’89, Gjilani, Ferizaj, Feronikeli e Vëllaznimi. Por shpërthimin e bëri te Shkëndija.

Në kampionatin e Uzbekistanit i luajti dhjetë ndeshje. Në Championsin aziatik i ka katër paraqitje.

“Me të vërtetë përvoja në Championsin e Azisë për mua ishte e paharrueshme. Në këtë kompeticion pata rastin të luajë kundër ish-fituesit të Topit të Artë, Karim Benzema. Ishte ndjenjë e paharrueshme. Pengu i vetëm është që nuk shënova gol, pasi kisha një rast të mirë”, thotë Shala. 

Ai ka edhe një vit kontratë me skuadrën nga Uzbekistani. Por thotë se futbollit nuk i dihet, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kthehet shpejtë në futbollin evropian.

Shala është i kënaqur me karrierën e deritashme. Është i përkushtuar që të punojë shumë dhe të arrijë suksese të reja. 

Ndeshja kundër Al Ittihadit mbetet momenti më i mirë i Shalës nga përvoja në skuadrën uzbekistanase.

“Në këtë ndeshje pata rast të luajë edhe kundër Mario Mitajt, lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë, i cili më priti në mënyrë të shkëlqyer. Mitaj përveq që është super-lojtar është edhe djalosh shumë i mirë. Natyrisht, nuk mund të mos e përmend edhe lojtarin që e do e gjithë bota, N’Golo Kante. Ai me të vërtetë ishte futbollist për toke. Në fushë ishte i thjeshtë, modest, ndonëse ka arritur shumë në futboll dhe ka karrierë të mahnitshme. Kam mbetur i befasuar me qasjen e tij. Jam bindur se Kante është ashtu si e kanë paraqitur dhe që i ka bërë të gjithë për vete. Është shembull për t’u ndjekur nga të gjithë për sjelljen e tij dhe modestinë”, ka thënë Adenis Shala.

Ndeshja kundër Al Ittihadit mbetet momenti më i mirë i Shalës nga përvoja në skuadrën uzbekistanase