Arbër Hoxha e ka vazhduar kontratën me Dinamon e Zagrebit, ka shkruar “Index.hr” të enjten, ndonëse lajmi ende nuk është bërë publik nga klubi. Por një gjë e tillë pritet të ndodh shpejtë.
Skuadra e madhe kroate i ka besuar shërbimeve të sulmuesit të Shqipërisë që aktivizohet në krah, për shkak të paraqitjeve shumë të mira në fillim të sezonit.
Kontrata e re e Hoxhës do të skadojë në vitin 2029. Kontrata aktuale e Hoxhës 27-vjeçar, skadonte në vitin 2027. Me kontratën e re, Hoxha pritet të përfitojë 500 mijë euro në vit.
Dinamo Zagrebi kishte oferta për Hoxhën në këtë verë, por me kërkesë të presidentit të klubit, legjendës kroate Zvonimir Boban, ai mbeti pjesë e skuadrës.
Hoxha e nisi sezonin me gol kundër Hajdukut të Splitit në Poljud, dhe më pas pati ndeshje të madhe ndaj Fenerbahçes. Në 16 ndeshjet e zhvilluara të këtij edicioni në të gjitha garat, Hoxha ka shënuar tri gola dhe ka kontribuuar me po aq asistime.
Hoxha u transferua në janar të vitit 2024 te Dinamo nga Slaven Belupo, për një milion euro. Ai ishte kërkesë e trajnerit të atëhershëm, Sergej Jakiroviq. Hoxha ka luajtur 79 ndeshje për Dinamon, ndërsa në total ka tetë gola e nëntë asistime.
Hoxha karrierë ka bërë edhe te Lokomotiva, Ballkani, Prishtina, Istogu dhe Besa e Pejës.