Futboll

Rrahmani dhe Gjimshiti në formacionin e javës në Serie A

AMIR RRAHMANI, BERAT GJIMSHITI

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, dhe ai i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Serie A.

Formacioni më i mirë i xhiros së 18-të është përzgjedhur të hënën nga faqja e specializuar për statistika “SofaScore”.

Rrahmani shënoi gol të dielën në derbin të cilin e fitoi Napoli 2:0 ndaj Lazios. Ai e realizoi golin e dytë për napolitanët. Për 31-vjeçarin Rrahmani ishte goli i parë këtë edicion.

Ndërsa Gjimshiti e fitoi çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes që Atalanta e fitoi 1:0 ndaj Romës.

32-vjeçari Gjimshiti këtë edicion në 23 ndeshjet e zhvilluara ka shënuar një gol.

Si Rrahmani ashtu edhe Gjimshiti kanë përvojë të madhe në futbollin italian.