Futboll

Ronaldo e Zidane të Superligës së Kosovës

Ronaldo Chacon

Ronaldo Chacon ka pasur rastin që ta ndajë fushën me emra të mëdhenj të futbollit.

Në Kampionatin U20 të Amerikës së Jugut ku luajti me Venezuelën para nëntë vjetësh, është përballur me lojtarë si Lautaro Martinez i Argjentinës, Rodrigo Bentancur i Uruguait dhe Richarlison, David Neres, Gabriel Magalhaes, Douglas Luiz e Lucas Paqueta të Brazilit.

Ronaldo Chacon ka pasur rastin të përballet edhe me Zidanen. Por jo legjendën franceze, Zinedine Zidane.

Ben Zidane është futbollisti që bën karrierë te Drita. Kurse Ronaldo Chacon është pjesë e Drenicës.

Të dy mbajnë emra legjendash të futbollit.

“Pasi kam luajtur me Përfaqësuesen U20 të Venezuelës, jam përballur me lojtarë që tani janë yje globalë dhe këtë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Këto kujtime i mbaj me vete dhe më mbushin me krenari. Ndonjëherë, kur shoh ndeshje të mëdha me shoqëri, më kujtohet që e kam ndarë të njëjtën fushë me shumë prej atyre lojtarëve dhe ma kujton gjithë rrugëtimin dhe përpjekjet që kam bërë”, ka thënë Ronaldo i Drenicës për KOHËN.

Më pas, me disponim të mirë e ka kujtuar edhe duelin me Zidanen e Dritës.

“Sa i përket duelit ‘Ronaldo vs Zidane’, ishte shumë i veçantë dhe argëtues. Kur i kam lexuar komentet e tifozëve me bashkëlojtarët, nuk mundeshim t’i ndalnim të qeshurat. Këto janë gjëra të vogla që e bëjnë futbollin kaq të bukur dhe ta kujtojnë pse e duam kaq shumë këtë sport – për pasionin e tifozëve dhe për momentet unike që i përjeton brenda dhe jashtë fushës”, është shprehur 27-vjeçari.

Më 29 tetor, Drenica fitoi 3:1 ndaj Dritës. Ronaldi i realizoi dy golat dhe e përgatiti të tretin. Ben Zidane luajti te Drita, por pa lënë gjurmë.

Ronaldo dhe Zidane e kanë një të veçantë të përbashkët. Baballarët e tyre janë tifozë të mëdhenj të futbollit dhe të këtyre dy legjendave veçanërisht.

“Disa njerëz befasohen shumë që emri im është Zidane. Shpeshherë mendojnë se është nofkë. Por babai im ka qenë tifoz i madh i Real Madridit dhe i dashuruar në Zidanen në kohët kur ai luante futboll”, thotë mesfushori i Dritës, që është nga Bregu i Fildishtë.

Fjalë të ngjashme tha edhe Ronaldo.

“Kur u linda, emri Ronaldo ishte shumë i njohur në atë kohë për shkak të legjendës botërore të futbollit, brazilianit Ronaldo Nazario. Babai im, i cili gjithmonë ka qenë tifoz i madh i futbollit, më ka emëruar për shkak të admirimit të madh që kishte për të. Për mua, është nder të kem emër kaq të rëndësishëm dhe çdo ditë më jep motivimin për ta dhënë më të mirën”.

Ronaldo Chacon iu bashkua “kuqezinjve” të Drenicës në verën e vitit 2025, ndërsa kontrata i skadon në qershorin e vitit tjetër.

Edhe Ben Zidane u transferua te Drita nga Bastia e Francës në verën e 2025-ës, me kontratë deri në vitin 2028.

“Nga ajo që më kanë thënë bashkëlojtarët, njerëzit në Skenderaj kanë folur shumë për arritjen time. Qëkur iu bashkova klubit, tifozët kanë qenë jashtëzakonisht të mirë me mua. Kur ecë nëpër rrugë, shumë njerëz vijnë dhe më përshëndetin, e madje edhe e thirrin emrin tim me zë të lartë. Kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe e ndiej përkrahjen”, ka theksuar Ronaldo Chacon.

Ronaldo i Superligës karrierë ka bërë kryesisht në skuadra të Venezuelës. Jashtë shtetit të tij të lindjes ka luajtur vetëm edhe në Sllovaki.