Julian Nagelsmann të enjten e ka publikuar listën për ndeshjet e Ligës së Kombeve në muajin e ardhshëm.
Risi në listën e përzgjedhësit të Gjermanisë janë Nick Woltemade dhe Tom Bischof.
Woltemade aktivizohet te Stuttgarti që të shtunën e luan finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Arminia Bielefeldit.
Ndërkohë, Bischof është mesfushor i Bayern Munichut.
Që të dy kanë bërë vend në listën prej 26 futbollistëve të ftuar nga Nagelsmann.
Gjermania më 4 qershor luan në Munih ndaj Portugalisë, në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.
Gjermania do të jetë pa Kai Havertzin, Jamal Musialan, Antonio Rudigerin, Tim Kleindienstin dhe Nico Schlotterbeckun.
Franca dhe Spanja takohen në gjysmëfinalen tjetër më 5 qershor.
Finalja luhet tri ditë më vonë.
Gjermania, që për herën e fundit e fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, është eliminuar nga faza grupore në dy turnetë e fundit të Botërorit.
Ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 për Gjermaninë nisin në shtator, me ndeshjen kundër Sllovakisë në Bratislavë.