Mediumi gjerman “Kicker” ka shkruar se Elvis Rexhbeçaj, mesfushori i Kosovës që aktualisht paraqitet tek Augsburgu, do të jetë transferimi i parë i verës për skuadrën e Wolfsburgut.
Sipas “Kickerit”, Rexhbeçaj ia ka dhënë fjalën ish-skuadrës dhe do të nënshkruajë së shpejti kontratën e re.
Wolfsburgu të shtunën e luan ndeshjen vendimtare për mbetje në ligë ndaj Union Berlinit.
Ai pritet të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2030.
28-vjeçari Rexhbeçaj ishte transferuar nga Wolfsburgu tek Augsburgu para katër vjetësh.
Dhe tani do të kthehet te klubi ku u zhvillua prej moshës 12-vjeçare. Rexhbeçaj në Bundesligë karrierë ka bërë edhe te Kolni dhe Bochumi.
Pas përfundimit të kampionatit aktual, Rexhbeçajt i skadon kontrata dhe Wolfsburgut do t’i bashkohet si futbollist i lirë.
Rexhbeçaj ka 16 paraqitje për Kosovën dhe 211 i ka në Bundesligën gjermane.