Futboll

Reagim i ashpër i Batatinës pasi siguroi Superligën

Tahir Batatina

Pasi e siguroi Superligën në ndeshjen e barazhit ndaj Vushtrrisë pas fitores 4:1 në penallti, trajneri Tahir Batatina ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook.

“Këta ekspertët para ndeshjes kishin menduar se do të luajnë me Milloshevën. Jo, jo, me Llapin e Zahir Pajazitit. Urime të gjithë qytetarëve të Llapit dhe Gollakut vazhdimi në Superligë. Merrni gjygymat pini çaj sepse pa Llapin nuk ka Superligë”, ka shkruar Batatina. 

Batatina pas ndeshjes me Vushtrrinë, ka theksuar po ashtu se Llapi nuk do të luajë në barazh më edhe për dy dekada, ndërsa ka akuzuar pesë skuadra me pretendimin se kanë punuar për ta larguar skuadrën nga elita. Ai nuk i ka përmendur emrat e këtyre klubeve.  

“Me organizimin që ka Llapi mendoj se është gjynah të largohet nga elita. Llapi ka asete për të ardhmen. Për 20 vitet e ardhshme, Llapi nuk do të luajë më në barazh. Do të konsolidohemi fuqishëm. Gjithë rivalët e mi, që kanë qenë pesë, ju them se Llapi do të vazhdoj tutje. Llapi nuk i harron skuadrat që kanë punuar prapa shpinës për ta larguar”, deklaroi Batatina.

Në foton e publikuar në reagimin e Batatinës shihen Shefki Kuqi, Milot Rashica, Besnik Kollari e Florent Hasani. Ata i kishin dalë në përkrahje skuadrës së Vushtrrisë, vendit prej nga vijnë.