Luis Enrique i ka paralajmëruar lojtarët e Paris Saint-Germain se Roma do t’u shkaktojë probleme në Ligën e Kampionëve të mërkurën.
Tekniku spanjoll i PSG-së ka thurur lavde për trajnerin e Romës, Gian Piero Gasperinin, për ndërtimin e ekipeve me një “identitet shumë të qartë loje”.
Ndeshja PSG – Roma zhvillohet në “Parkun e Princave” nga ora 21:00.
PSG ka fituar pikët maksimale, 12 nga katër ndeshje, duke shënuar 20 gola dhe pësuar vetëm pesë, ndërsa Roma ka fituar katër pikë.
Do të jetë hera e parë që PSG-ja dhe Roma përballen në një duel zyrtar.
“Është e qartë se jemi të lumtur që jemi rikthyer në Ligën e Kampionëve, dhe mbi të gjitha në shtëpi”, tha Luis Enrique. “Kjo ndeshje do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që kemi përjetuar deri më tani. Ata janë një ekip që mbrohet në një mënyrë të veçantë. Ata janë një ekip që humb shumë pak ndeshje. E dimë që do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë një sfidë e madhe. Nëse e fitojmë këtë ndeshje, do të jetë hera e parë që fitojmë pesë ndeshje radhazi në fazën e ligës, kështu që do të ishte e para”.
Enrique e vlerësoi shumë Gasperinin. Të dy u takuan në vitin 2011, kur spanjolli ishte në krye të Romës dhe Gasperini qëndroi vetëm disa javë tek Interi.
“Ai është një trajner me shumë përvojë dhe më pëlqen shumë. Ekipet e tij kanë një identitet shumë të qartë loje, shumë të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar të përballemi”, tha Enrique.
Gian Piero Gasperini thotë se udhëtimi i Romës në Paris është “një moment i shkëlqyer” për të provuar veten kundër më të mirëve.
“Është padyshim një moment shumë, shumë i mirë për ne që të jemi në gjendje ta luajmë këtë ndeshje kundër ekipit më të fortë”, tha Gasperini. “Ajo për të cilën po mendojmë më shumë në këtë moment është të japim një performancë të nivelit të lartë. Është i qartë. Duhet të testojmë veten kundër kësaj skuadre. Është hera e parë që përballemi me ta me Romën, kështu që do të duhet ta kuptojmë menjëherë në fushë se cili është niveli i tyre. Sigurisht që është shumë i lartë dhe duhet të shohim se sa mund t’i kundërvihemi teknikës dhe shpejtësisë së tyre. Qëllimi ynë është ta zvogëlojmë pak efektivitetin e tyre në mënyrë që të mund të luajmë edhe ne lojën tonë”.
Gasperini këmbënguli se këto humbje nuk duhet të ndikojnë në vetëbesimin e skuadrës së tij.
“Kështu është Liga e Kampionëve. Është gara më e rëndësishme në botë, me nivelin më të lartë”, tha ai. “Mund të bësh performanca shumë të mira, siç bëmë ne kundër Realit dhe Manchesterit, por ka edhe momente kyçe, dhe lojtarët më të mirë në botë janë në fushë dhe mund të vendosin ndeshjet”.
Kjo nuk është nata e parë e madhe e Gasperinit kundër PSG-së. Në çerekfinalen e vitit 2020 në Lisbonë, atëbotë skuadra e tij Atalanta ishte në epërsi deri në minutat e fundit, por humbi 2:1 me dy gola në fund.
“Është një ndeshje që është ende pak e vështirë për t’u përballuar, për shkak të përfundimit”, pranoi ai. “Kjo është një tjetër ndeshje, sepse PSG është ndryshe. Ata janë shumë më tepër si një ekip tani, dhe kjo falë Luis Enriques. Roma po hyn në këtë garë pas disa vitesh mungesë, gjë që është ndryshe për ne. Është një ndeshje e fazës së ligës, dhe për ne është një masë e asaj që po bëjmë", ka thënë Gasperini.
Të mërkurën luhen dy ndeshje nga ora 18:45. Barcelona në Azerbajxhan do të përballet me Sabaun, ndërsa Slavia Praga e pret Villarrealin.
Nga ora 21:00 përballen: Atletico Madrid – Viking, Club Brugge – Liverpool, Inter – Stuttgart, Lille – Bayern Munchen, Shakhtar Donetsk – Fenerbahçe dhe Sporting Lisbona – Manchester United.