Futbollistët e Rumanisë janë shumë të motivuar për ndeshjen e së premtes ndaj Kosovës, që zhvillohet në “Arena Nationala” në Bukuresht.
Stadiumi do të jetë i mbushur me shikues, ndërsa ndeshja është vendimtare për vendin e parë në grupin B2 të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Në shtator, Rumania fitoi 3:0 ndaj Kosovës në Prishtinë. Në atë ndeshje himni i Rumanisë është fishkëllyer nga shikuesit në stadium. Kishte edhe plot incidente të tjera dhe qëndrime të theksuara anti-Rumani. Kjo vetëm sa i ka motivuar rumunët për ndeshjen e së premtes. Kjo madje bëhet e qartë në një mesazh që lojtarët e Rumanisë ua kanë dërguar gjithë tifozëve të Rumanisë para ndeshjes me Kosovën.
“Ju kërkojmë që mos të veproni në atë mënyrë që të rrezikojmë të humbim atë që e kemi ndërtuar. Na duheni në tribuna për ndeshjet e ardhshme. Ta lëmë gjeopolitikën anash dhe të fokusohemi në atë që e duam më shumë se çdo gjë tjetër: të jemi në Kupën e Botës. Jemi të sigurt se asgjë nuk mund të na bëj më të lumtur se një fitore në fushë, pa incidente dhe pa rast në Komitetin Disiplinor të UEFA-s”, shkruan në mesazhin e lojtarëve rumunë të publikuar në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Rumanisë.
Në ndeshjen e parë mes Kosovës dhe Rumanisë në Prishtinë, vitin e kaluar, një grup huliganësh rumunë bënë thirrje “Kosova është Serbi”. Më pas në Bukuresht kishte thirrje të tilla dhe u shpalos një pano ku shkruante “Kosova është Serbi”. Ndeshja ishte ndërprerë dhe UEFA më pas e dënoi federatën rumune.
Në ndeshjen e shtatorit ishte episodi i radhës dhe këtë herë UEFA dënoi federatën kosovare. Nuk përjashtohet mundësia që të tjera incidente të ndodhin të premten në Bukuresht.
“Ne luftojmë së bashku, me vendosmëri dhe në mënyrë të qytetëruar, duke dëshmuar se jemi një vend i fortë dhe krenar, i aftë për të ëndërruar dhe për të luftuar për atë që duam. Le të jemi të mençur, të përkrahim njëri-tjetrin dhe të shijojmë çdo moment që e kalojmë së bashku në këtë rrugëtim. Ne fitojmë, gëzohemi dhe vazhdojmë. Së bashku”, shkruan tutje në letrën e lojtarëve rumunë.
Ata kanë pranuar se po e mendojnë hakmarrjen ndaj asaj që ndodhi në Prishtinë.
“Fitorja është hakmarrja më e ëmbël dhe mënyra më e bukur për t’iu përgjigjur një publiku që ishte armiqësor ndaj nesh në Prishtinë”.
Rumania vlerësohet favorite e madhe në garën për vendin e parë, sidomos për shkak të fitores 3:0 në Prishtinë.