Kapiteni Granit Xhaka beson se Sunderlandi nuk po e merr respektin që e meriton në Premier League. Mesfushori e dha këtë vlerësim pas fitores së madhe të Sunderlandit ndaj rivalit, Newcastle United.
Derbin e zjarrtë, të njohur si “Tyne-Wear”, Sunderlandi e fitoi me rezultatin 1:0 të dielën, në kuadër të xhiros së 16-të të Premier Leagues.
Sunderlandi tani ka 26 pikë në vendin e shtatë. Nga 26 pikë kanë edhe Crystal Palace dhe Liverpooli. Chelsea është i katërti me 28 pikë.
Sunderlandi ka shkëlqyer në këtë pjesë të kampionatit. Paraqitje të madhe pati edhe ndaj rivalit regjional, Newcastlet, ndonëse fitorja në “Stadium of Light” u vendos me autogolin e Nick Woltemades në fillim të pjesës së dytë.
Sunderlandi i kishte fituar 26 pikë pas 16 xhirove të luajtura edhe në edicionin 2000/2001, kur kishte përfunduar në pozitën e shtatë.
Në fakt, synim i “Maceve të Zeza” është mbetja në elitë angleze në të cilën u kthyen pas një kohe të gjatë.
Xhaka është kthyer në forcë shtytëse për ekipin e Sunderlandit qëkur iu bashkua nga Bayer Leverkuseni. Dhe tani njëri prej figurave më të dashura nga tifozët kërkon edhe më shumë.
“Derbit duhet të fitohen pavarësisht çdo gjëje”, ka thënë kapiteni i Sunderlandit për “Sky Sports”.
“Ky ekip meriton më shumë respekt pasi jemi në një ligë të shkëlqyer dhe po punojmë shumë fort. Në pjesën e parë e kemi kontrolluar lojën më shumë dhe e kishim topin, por normalisht, kjo nuk mund të ndodh për 90 minuta. Pas golit që shënuam ndryshoi ndeshja. Por ne ishim të mirë edhe në lojën pa top. I kemi merituar pikët e plota, padyshim”.
Ndeshja më shumë pati duele e lojë të shpejtë, se gjuajtje në drejtim të portave. Në total ishin vetëm 11 tentime për gol, më së paku në një ndeshje të ligës që nga marsi i vitit 2023.
Por, për Sunderlandin kjo nuk është shumë e rëndësishme. Sunderlandi me Xhakën lider të mesfushës mbetet pa humbje në 10 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Newcastlet. I ka shtatë fitore e tri barazime.
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris ka qenë shumë krenar me futbollistët që i drejton.
“Jam krenar dhe i lumtur. Ishte derbi dhe tifozët tanë e prisnin fitoren. Ishte fitore shumë e merituar. Treguam pjekuri dhe djemtë ishin të jashtëzakonshëm. Pjesa e parë ishte shumë e mirë taktikisht, ndryshuam vetëm disa detaje dhe ishte çështje efikasiteti në fazën e fundit. E kishim kontrollin e lojës dhe ndonjëherë kishim më shumë durim. Por në përgjithësi treguam nivel të mirë të pjekurisë dhe jam i lumtur për djemtë. Kjo është e mirë edhe për tifozët tonë. Është mirë për regjionin, klubin, tifozët. E dinim më herët se është ndeshje e veçantë por duhet të kthehemi shpejtë sepse kemi ndeshje tjetër të fortë me Brightonin javën tjetër dhe le ta përsërisim të njëjtin sukses”, ka deklaruar Le Bris.
Xhaka u vlerësua shumë për paraqitje edhe në këtë ballafaqim. BBC-ja e vlerësoi si më të mirin në ndeshje, me notën 7.65. Tifozët e thirrën emrin e kosovarit në fund të ndeshjes.