Robert Ibertsberger, ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, ka thënë se futbolli kosovar dhe shteti i Kosovës duhet të pranohen. Ai në një intervistë të gjatë për sajtin austriak “90minuten.at”, ka theksuar se fyerjet diskriminuese dhe raciste nuk kanë vend në sport.
Kosova humbi ndeshjen e ndërprerë të 15 nëntorit në Bukuresht kundër Rumanisë me rezultat zyrtar 3:0. Pas thirrjeve “Serbia, Serbia”, lojtarët e Kosovës nuk u kthyen për ta vazhduar ndeshjen që shkonte drejt fundit me rezultat 0:0. Por Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi t’ia japë fitoren Rumanisë me rezultat zyrtar, ndërsa e dënoi Federatën e Futbollit të Rumanisë me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme, ndërsa me 6 mijë euro e dënoi edhe Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Fatkeqësisht pati incidente të ngjashme gjatë kualifikimeve të Evropianit të vitit të kaluar. Lojtarët ishin të vendosur të mos ktheheshin më në fushë për të përjetuar fyerje tjera. Unë kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë. Kjo nuk ka vend në sport. Në çdo rast, ne si ekip i trajnerëve jemi plotësisht prapa ekipit”, ka thënë Ibertsberger.
Ai ka thënë se duhet dërguar sinjale se shtetësia e Kosovës duhet të pranohet. “Tashmë e kemi kuptuar pse rumunët në Prishtinë janë sharë. Në atë kohë nuk e dinim saktësisht pse. Na u tregua se kjo ka ndodhur edhe në Rumani. Por në atë kohë nuk përmendej fyerja raciste. Në një moment duhet të dërgohet një sinjal se futbolli kosovar dhe shteti i Kosovës duhet të pranohen”, ka theksuar ndihmësi i selektorit Foda.
Ai ka insistuar se vendimi i lojtarëve për të mos u kthyer pas thirrjeve “Serbia, Serbia”, ishte mbështetur nga stafi i trajnerëve në krye me gjermanin Franco Fodan.
“Pesëmbëdhjetë minuta para përfundimit të lojës thirrjet bëheshin gjithnjë e më të forta. Edhe pse arbitri ishte i përgatitur për këtë situatë, nuk reagoi. Pastaj kapiteni ynë dhe ekipi vendosën që ne të largoheshim nga fusha. Ne u befasuam në një moment dhe më pas folëm për këtë në dhomat e zhveshjes. Ne e kishim të qartë se ekipi i trajnerëve nuk do të përpiqej ta bindte skuadrën të luante minutat e mbetura, por se po e merrnim si deklaratë. Ne e respektuam këtë dhe jemi 100 për qind prapa ekipit”, ka theksuar Ibersberger.
Ai është përgjigjur edhe në shumë pyetje që lidhen me synimet e Kosovës. Ka thënë se te Kosova ka progres. Ka treguar se Kosova ka synime të qarta në kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
“Duhet të bëjmë plane për të siguruar vend në plejof. Nëse mund të fitojmë më shumë se një apo dy lojtarë, do të jemi të pozicionuar mirë në tabelë. Duhet të mbesim realistë, por mund t’i vendosim vetes synime të caktuara”, ka thënë Ibersberger.
Shorti i kualifikimeve të Botërorit tërhiqet më 13 dhjetor, ndërsa Kosova është në vazon e katërt.