Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të hënën e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, para nisjes për në Oslo ku të mërkurën do ta zhvillojë miqësoren ndaj Norvegjisë.
Po të hënën futbollistët e Kosovës kanë udhëtuar për në Norvegji.
FFK-ja ka njoftuar se përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, ndërsa për shkak të një shqetësimi të vogël muskulor, Elbasan Rashani ka stërvitur i ndarë nga grupi.
Miqësorja Norvegji – Kosovë zhvillohet në “Ullevaal Stadion”, të mërkurën nga ora 19:00. Për “Dardanët” është sfida e fundit para fillimit të ciklit të ri të ndeshjeve zyrtare, përkatësisht të edicionit 2024/2025 të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Më 6 shtator, Kosova e pret Rumaninë. Më 9 shtator luan në udhëtim ndaj Qipros. Dy ndeshje tjera i ka në tetor e dy në nëntor.
Kështu që Foda e ka rastin e fundit për të parë nga afër lojtarët para ndeshjeve të rëndësishme të vjeshtës.
Te Kosova janë shprehur optimist para udhëtimit për në Oslo. Sulmuesi Vedat Muriqi ka theksuar se ylli norvegjez Erling Haaland do të ndalet nga Amir Rrahmani.
“E kemi filluar kampin me intensitet të lartë të stërvitjeve siç e dëshiron trajneri. Sot e patëm anën taktike dhe tani i dimë dobësitë e Norvegjisë dhe jemi të gatshëm ta përballojmë këtë sfidë. Ata kanë lojtarë superyje botërorë, por nëse bazohemi te Haaland edhe ne kemi kapitenin tonë që e ka fituar Serie A, ka luajtur në Ligën e Kampionëve, kështu që nuk besoj se Haaland do ta ketë të lehtë kundër nesh dhe sidomos Amirit”, ka thënë Muriqi për sajtin zyrtar të FFK-së.
“Futbolli nuk është vetëm me lojtar individ, por individët mund të jenë çelësi i fitores. Por në këtë aspekt mendoj se Norvegjia përveç individëve nëse dëshiron të na mposhtë duhet të jetë kompakte. Mendoj se ne jemi më të fortë kolektivisht, derisa në aspektin individual duhet të jemi të sinqertë sepse nuk mund të krahasohemi. Besoj që në stadium do të jetë një numër i madh i kosovarëve që jetojnë në Norvegji. Atje është edhe familja e Valon Berishës dhe të gjithë janë të mirëseardhur. Edhe pse është vetëm miqësore ne shkojmë për fitore”, ka shtuar sulmuesi kryesor i Kosovës.
Për Valon Berishën ndeshja e së mërkurës mbrëma pritet të jetë emocionale. Ai kishte karrierë të gjatë te Norvegjia para se t’i bashkohej Kosovës. Madje ishte titullar dhe lojtar shumë premtues.
“Është një ndeshje e veçantë, sepse familja ime jeton atje, atje jam rritur dhe i kam marrë hapat e parë në futboll. Ata më kanë vlerësuar shumë dhe më kanë dhënë shumë besim kur kam qenë i ri. Kam debutuar për Norvegjinë shumë herët. Sigurisht se do të jetë një ndjenjë e përzier, por gjithmonë e kam ndjerë veten shqiptar dhe e kam kënaqësinë dhe privilegjin që të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Por, normalisht se është një ndeshje e veçantë sepse njoh shumë lojtarë, por edhe pjesëtarë të stafit që ende punojnë aty e që kanë qenë në kohën time dhe padyshim do të jetë një ndeshje më e veçantë se të tjerat. Ka shumë shqiptarë në Norvegji, sidomos në pjesën e Oslos, kështu që besoj se do të ketë shumë tifozë shqiptarë që do të na ndjekin nga afër dhe do të na japin energji shtesë për të bërë paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Valon Berisha.
Haaland është prej lojtarëve më të vlerësuar në botë. Por Norvegjia ka edhe yje të tjerë.