Futboll

Mbappe i gatshëm për ndeshjen kundër Benficas

Kylian Mbappe

Ylli francez i futbollit, Kylian Mbappe, është i gatshëm për ndeshjen e Real Madridit kundër Benficas në plejofin e raundit nokaut të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja ndërmjet Benficas dhe Realit luhet të martën nga ora 21:00.

Është përballja e dytë e këtyre skuadrave gjatë një periudhe të shkurtër.

Benfica fitoi 4:2 ndaj Real Madridit në ndeshjen e xhiros së fundit të fazës së ligës, duke ia mohuar 15 herë kampionit të Evropës kalimin direkt në një të tetën e finales. Me fitoren dramatike, skuadra portugeze e siguroi avancimin në fazën e plejofit. Madje fitoren me dy gola dallim, që i duhej për kualifikim, Benfica e arriti me gol të minutës së 98-të, të shënuar nga portieri Anatoliy Trubin.

Tre javë më herët Mbappe shënoi dy golat e Realit duke e çuar në 12 numrin e golave këtë edicion në Ligën e Kampionëve.

Kishte dyshime nëse ai do të jetë gati për ndeshjen kundër Benficas të martën. Ai nuk luajti në fundjavë kundër Real Sociedadit për shkak të një lëndimi.