Mesfushori Vesel Limaj është transferuar te Drita nga Malisheva këtë verë. 25-vjeçari ka luajtur për ekipin rumun Hermannstadt në vitin 2023. Në 16 ndeshje për Hermannstadtin e shënoi një gol dhe e bëri një asistim.
Drita luan me kampionin rumun, FSCB, në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja e parë është të enjten e ardhshme në Bukuresht, ndërsa e kthimit zhvillohet më 14 gusht në “Fadil Vokrri”.
Në letër dhe bazuar në çmimin e lojtarëve, FCSB është favorit i madh ndaj Dritës.
“Natyrisht, ndeshja ndaj FCSB-së nuk do të jetë e lehtë. E dimë që është klubi më i madh në Rumani, e dimë kualitetin që ka në ekip. Do të jetë shumë vështirë për ne, por po e shohim se në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Ne po ashtu kemi ekip kualitativ. Mendoj se do të jenë dy përballje të mira. Mbetet të shihet çka do të ndodhë”, ka thënë Limaj për mediumin rumun GSP.
Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, FCSB-ja u eliminua nga Shkëndija e Tetovës. Pronari i kampionit rumun bëri fyerje si ndaj Shkëndijës ashtu edhe ndaj Dritës. Gigi Becali theksoi se Shkëndija është ekip i divizionit të tretë, ndërsa shtoi se nëse i eliminon Drita, duhet ta lënë futbollin.
“E kam parë ndeshjen me Shkëndijën. Ishte befasi, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Ekipi favorit nuk fiton gjithnjë”, ka theksuar Limaj, që ka luajtur edhe për Ballkanin pas largimit nga Rumania. Ai është zhvilluar në Gjermani, ndërsa ka luajtur edhe në Shqipëri për skuadra si Bylisi, Kukësi e Tirana.
Limaj thotë se ka kaluar mirë në Rumani, ndonëse qëndroi pak kohë atje. Është pyetur se në cilën pozitë do të renditej Drita në kampionatin rumun.

“Nuk është e lehtë të thuhet. Kushtet në Rumani janë shumë më të mira, ka stadiume të mëdha dhe niveli i futbollit është më i lartë. Ka ekipe të mira edhe në Kosovë, me kualitet. Shohim se çdo vjet dy-tri ekipe luajnë kualifikime evropiane. Por për shkak të kushteve këtu kampionati nuk është aq atraktiv. Drita, nëse do të luante në Rumani, do të garonte për vendet që dërgojnë në kupa evropiane”, ka theksuar Limaj.