Futboll

Lamine Yamal – paralajmërimi i një epoke të re futbolli

Lamine Yamal

Vetëm 18-vjeçar, Lamine Yamal ishte në prag të rishkrimit të historisë. Nëse do ta fitonte Topin e Artë në Paris, ai do të ishte bërë fituesi më i ri në histori. Nuk e bëri. 

Triumfi kolektiv i Ousmane Dembeles me PSG-në u vlerësua më shumë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Vetë fakti që adoleshenti ishte kandidat i fortë, është revolucionar. Ai duket i destinuar për të bërë epokë futbolli.

Yamal, që u shpall futbollisti më i mirë i ri i vitit, nuk është thjesht një futbollist. Ai është pasqyrë për gjeneratën e tij.

Më afër një ylli të muzikës se futbollistit tradicional

Për dekada të tëra futbolli ka ofruar idenë se madhështia vinte përmes sakrificës dhe përulësisë. 
Lionel Messi e fitoi Topin e Artë si rrjedhojë e punës së ekipit. Cristiano Ronaldo e shndërroi disiplinën në teatër, duke ndërtuar trupin e tij në një monument përpjekjesh. 

Lamine Yamal përfaqëson diçka të re. Ai mishëron kulturë rinore që nuk e fsheh ambicien e tij. 

“Nuk ëndërroj për një Top të Artë, ëndërroj për shumë. Nëse nuk i fitoj ata, do të jetë faji im”, ka thëmë Yamal më herët.

Kjo nuk ka të bëj as me përulësinë e Messit e as me mentalitetin e luftëtarit të Ronaldos. Është diçka tjetër. Mund të jetë ‘vetë-pronësi’, ku fati shihet si përgjegjësi personale.

Është një filozofi e brezave që po vijnë. Bëhet fjalë për të rinj të formuar nga kriza – kolapsi financiar, pandemia, ankthi klimatik – që nuk u besojnë institucioneve. Për ta suksesi nuk është bindje ndaj sistemit, por pavarësi prej tij.

Sakrifica nuk është më virtyti më i lartë. Është liria. Paraja nuk është tabu, por as nuk është e shenjtë. Është mjet për autonomi. Argëtimi dhe shfaqja nuk janë më shpërqendrime, janë pjesë e suksesit.
Kjo është arsyeja pse vera e Lamine Yamalit në Monako, festa e tij e ditëlindjes me temë gangsterësh, apo edhe momentet e tij përkrah Neymarit, nuk janë gabime morale. Braziliani Neymar ka humbur dashurinë për lojën shumë kohë më parë, por mbetet ikonë për të rinjtë.

Ideja e tyre është: për sa kohë që performon, askush nuk mund t’u tregojë se si të jetoni.
Në këtë kuptim, Yamal është më afër një ylli të popit se një futbollisti tradicional. Mediat sociale e kanë përshpejtuar këtë ndryshim. Ai ndan me të tjerët atë që dëshiron, kur dëshiron. Ai poston vallëzime dhe momente private për audiencën botërore dhe tifozët ndiejnë se e njohin atë përtej fushës së futbollit.

Kjo e ka bërë atë të pëlqyerin e katalanasve të rinj. Jo pse ai mishëron virtytet tradicionale të La Masias, të punës së palodhur dhe në heshtje, por pikërisht pse i thyen ato.
Sulmuesi i krahut ofron diçka më globale. Karizma e tij, spontaniteti, shkëlqimet e tij gjeniale, brenda dhe jashtë fushës, i garantojnë tifozë në gjithë botën.

Mst: “Karakteri më ndihmon të mbijetoj”

Nëse roli i tij sociologjik është simbolik, psikologjia është më e thellë. Yamali është shumë i vetëdijshëm për veten. Ai e di që është një djalë i mrekullueshëm dhe nuk pretendon të kundërtën. Ai pranon përgjegjësinë. I bën gjuajtjet e lira, penalltitë dhe ka numrin 10 te Barcelona.

“Karakteri më ndihmon të mbijetoj”, thotë superylli i Spanjës.

Kjo qëndrueshmëri nuk vjen vetëm nga talenti, por edhe nga vetë jeta. Ai u rrit në Rocafonda, një lagje e klasës punëtore në Mataros. Është djali i emigrantëve nga Maroku dhe Guinea. Gjyshja e tij hyri fshehtas në një autobus për të shkuar në Spanjë. Nëna e rriti ndërsa punonte në disa vende pune.
Kur babai i tij u godit me thikë, Lamine Yamal ishte vetëm 16-vjeçar. Në “La Masia” ai luftoi në fillim me zhvendosjen sociale, duke lëvizur nga një mjedis inferior në një elitar. E gjitha kjo e forcoi atë.

Ai tani është i vendosur të kthejë të mirat. Gjëja e parë që bëri me të ardhurat e tij ishte t’i blinte nënës shtëpinë që ajo e donte.

“Ajo është mbretëresha ime”, thotë Yamal. Ai kujton se si nëna, pavarësisht ndërrimeve të vona në punë, vinte në shtëpi për të gatuar darkën.

Yamal e trajton famën duke mbajtur distancë. Kur festa e ditëlindjes bëri bujë, ai qeshi.

“A njeh ndonjë 18-vjeçar që del dhe është lajm?”, pyeti.
Kritikat zhduken për sa kohë ai performon mirë. Frika e tij e vërtetë është të mos i përmbushë ambiciet.

Megjithatë futbolli ka mënyrë të përuljes. Ai luajti vetëm tetë minuta në stadiumin e vjetër “Camp Nou” para rinovimit të tij, një kujtesë se sa shumë gjëra ende e presin.

Barcelona po tregon se mund të fitojë edhe me Yamalin e lënduar. Marcus Rashford, Pedri dhe të tjerët po dëshmojnë se ekipi nuk varet prej tij.

Ky është lajm i mirë për klubin, por në të njëjtën kohë edhe për 18-vjeçarin. I lejon atij të rritet brenda kolektivit, duke mos e pasur gjithnjë presionin e të qenit shpëtimtar.

Në fushë ai po zhvillohet. Puna e tij mbrojtëse, intensiteti, duelet, tregojnë rritje. Si Hansi Flick ashtu edhe Luis de la Fuente po e shndërrojnë në futbollist të kompletuar.

Ridefinimi i të qenit yll

Pra, çka vjen tutje? Pyetja nuk është nëse Lamine Yamal e ka talentin për të dominuar – ai e ka. Pyetja është se si do të reagojë ai kur Topi i Artë nuk do të fitohet herën tjetër, kur të jetë në stol, kur të paraqiten lëndimet, kur dritat e vëmendjes bëhen mizore.

Janë mësime të natyrshme për karrierën e të rinjve, por që do ta testojnë një djalë që tashmë e mban veten si burrë.

Tani është fillimi i historisë.

Lamine Yamal nuk është mbreti i futbollit, por po ec në skenë si i tillë. Nëse ai mëson të shndërrojë ambicien në qëndrueshmëri dhe i mbijeton stuhive të pashmangshme, mund të krijojë epokë. Ajo epokë nuk do ta ndryshojë vetëm Barcelonën dhe Spanjën, por edhe vetë futbollin. Do të ripërcaktojë se çfarë do të thotë të jesh yll në shekullin e 21-të.