Futboll

Kosova, përfaqësuesja e ranguar më së ulëti që paraqitet në plejof

Kosova

Se paraqitja në plejof është sukses shumë i madh për Kosovën, e dëshmon edhe ranglista e FIFA-s.

Ndonëse në vazon e tretë, Kosova është përfaqësuesja e ranguar më së ulëti që paraqitet në plejofin evropian për kualifikim në Botërorin 2026 në futboll.

Kosova është në pozitën e 80-të, që është më e mira ndonjëherë. Por prapë është pozita më e ulët prej 16 përfaqësueseve që janë në plejof.

Në fakt ndarja e përfaqësueseve në tri vazot e para është bërë në bazë të ranglistës së FIFA-s të publikuar të mërkurën. Dhe rrjedhimisht Kosova është e fundit në vazon e tretë.

Por më lart se Kosova në ranglistë janë edhe përfaqësueset e vazos së katërt. Ato marrin pjesë në plejof si fituese të grupeve në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, e që nuk janë renditur në dy pozitat e para në grupet e kualifikimeve të rregullta.

Në vazon e katërt janë Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.

Në ranglistë, Suedia është e 43-ta, Rumania e 47-ta, Maqedonia e Veriut e 65-ta dhe Irlanda e Veriut e 69-ta.

Kosova do të luajë në gjysmëfinale të plejofit me një përfaqësuese të vazos së dytë. Polonia është e 31-ta, Uellsi i 32-ti, Çekia e 44-ta dhe Sllovakia e 45-ta.

Nëse kualifikohet në finale të plejofit, Kosova do të luajë me përfaqësuese të vazos së parë apo të katërt, varësisht rezultatit të tyre në gjysmëfinale.

Shorti tërhiqet sot nga ora 13:00.