Futbollistet e Kosovës i fillojnë më 5 prill kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025. Dhe kampanja e re kualifikuese fillon me një ndeshje jo të zakonshme.
Rivale e Kosovës do të jetë Përfaqësuesja e Ukrainës. E përballur me pushtimin nga Rusia, Ukraina në të gjitha sportet ndeshjet si nikoqire i zhvillon në terren neutral.
Ndeshja Ukrainë – Kosovë është caktuar të zhvillohet në Antalya të Turqisë, nga ora 17:00. Saktësisht do të zhvillohet në “Mardan Sports Complex”.
Në shortin e tërhequr më 28 shkurt, Kosova ishte në vazon e katërt e Ukraina në vazon e tretë. Rrjedhimisht në letër ukrainaset janë favorite. Por te Kosova e shohin rastin pikërisht ndaj Ukrainës, ndërsa fitorja në ndeshjen e parë do të ishte me vlerë shumë të madhe. Fakti se ndeshja zhvillohet në terren neutral mund t’u shërbejë lojtareve të Kosovës.
Kualifikimet për “Euro 2025” zhvillohen në format të njëjtë me Ligën e Kombeve të UEFA-s. Përfaqësueset evropiane janë të ndara në tri liga, përkatësisht në tri nivele. Kualifikimi direkt është i mundur vetëm prej Ligës A. Kosova është në Grupin 4 të Ligës B. Tre të parët në grup e kanë të sigurt kalimin në plejof. Uellsi është ekipi përfaqësues kryesor në grup, përkatësisht ekipi i vazos së parë, ndërsa Kroacia është përfaqësuesja tjetër e grupit.
Menjëherë më 9 prill Kosova e pret favoritin e grupit, Uellsin. Sipas faqes zyrtare të UEFA-s, ndeshja zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Rinovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” vetëm sa ka nisur dhe ai nuk pritet të jetë i gatshëm deri në verë. Kështu futbollistet detyrohen të luajnë në “Zahir Pajaziti”. Stadiumi i plotëson kriteret për shkak të kërkesave më të vogla për futbollin e femrave, por edhe për shkak të mirëkuptimit të UEFA-s.
Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve për futbolliste është promovuar në Ligën B nga Liga C, ndërsa është në seri të rezultateve pozitive.
Së fundmi ka humbur nga Sllovenia më 12 nëntor të vitit 2022. Prej atëherë ka 13 fitore e një barazim. Por rezultatet i ka arritur me përfaqësuese kryesisht të nivelit C, sipas ndarjes së fundit të UEFA-s. Tani përballë ka përfaqësuese të nivelit dukshëm më të lartë.