Shumë prej futbollistëve të Kosovës kanë të kaluar në përfaqësuese të tjera. Por fare pak e kishin situatën që së fundi e kishte Leon Avdullahu – “luksin” që të zgjedhin mes dy përfaqësueseve seniore dhe të vendosin për Kosovën.
Leon Avdullahu ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës dhe besohet fuqishëm se do të ftohej nga Zvicra A së shpejti. Pasi Kosova nisi interesimin për këtë lojtar, federata zvicerane u hodh në sulm për ta mbajtur 21-vjeçarin. Por Avdullahu vendosi për Kosovën dhe për këtë i njoftoi të hënën mbrëma të dy federatat. Ai ka luajtur për Zvicrën U15, U16, U18, U19 e U21. Te kjo e fundit ishte kapiten. Te Kosova pritet të jetë prej liderëve të mesfushës.
Një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve të Kosovës kanë luajtur për grupmosha të reja të përfaqësueseve të tjera. Dhe pasi nuk kanë arritur të sigurojnë vend në përfaqësuese seniore si ajo e Zvicrës, i janë bashkuar Kosovës.
Kështu kanë vepruar Amir Shaipi, Aro Muriq, Florent Hadërgjonaj, Leart Paçarada, Florent Muslija, Bledian Krasniqi, Vesel Demaku, Fisnik Asllani e shumë e shumë të tjerë. Elvis Rexhbeçaj e priti Gjermaninë gjatë, ndërsa vjet vendosi të pranojë ftesën e Kosovës.
Prej lojtarëve aktualë të Kosovës dhe atyre që kanë luajtur pas pranimit në FIFA dhe UEFA vetëm Valon Berisha la një përfaqësuese seniore serioze për Kosovën. Kur pranoi ftesën e Kosovës, Berisha ishte duke luajtur rregullisht për të rriturit e Norvegjisë.
Amir Rrahmani, Milot Rashica e Herolind Shala iu bashkuan Kosovës pasi u lanë jashtë ekipit final të Shqipërisë për Euro 2016. Sikur të luanin për Shqipërinë në atë Evropian, kjo treshe nuk do të mund të luante për Kosovën edhe nëse do ta synonte ndryshimin.
Edon Zhegrova vendosi për Kosovën kur e kishte mundësinë të luante për Shqipërinë.
Natyrisht, ka edhe shumë lojtarë të Kosovës që nuk kanë të kaluar në përfaqësuese të tjera.
Por rasti i Avdullahut dallon me rastet e deritashme.
I lindur në Zvicër, ai ka veshur gjatë fanellën helvetike dhe pritej të debutonte në ekipin A. Por nga shtatori do të jetë nën urdhrat e Franco Fodas në vend se të jetë nën urdhrat e Murat Yakinit të Zvicrës.
Shumë prej të rinjve shqiptarë zgjedhje të parë e kanë përfaqësuesen e vendit ku janë rritur. Kjo bëhet kryesisht për shkak të perspektivës sportive. Nëse nuk kanë ftesë apo situatë të favorshme, vendosin për Kosovën dhe Shqipërinë. Dhe jo pak prej tyre, pas pritjes së gjatë të përfaqësueseve evropiane, më pas flasin për zgjedhje zemre kur bëhen pjesë e Kosovës e Shqipërisë.
Ka edhe raste të tjera.
Ardon Jashari, për shembull, prej fillimit ka treguar se është i interesuar të luajë për Zvicrën. Jashari është lojtari bindshëm më cilësor shqiptar i gjeneratës së re dhe tani paraqitet për Milanin. Portieri Diant Ramaj, ndonëse nuk duket shumë afër Gjermanisë, ka vendosur të presë këtë përfaqësuese.
Ramaj tani është 23-vjeçar dhe ruan portën e Heidenheimit në Bundesligë. Është i huazuar nga Borussia Dortmundi. Ramaj ka luajtur për U18, U19 e U20 të Gjermanisë. Nuk është përmendur ndonjëherë si opsion për përfaqësuesen A të Gjermanisë, por ka vendosur të presë.
Raste të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Por shpresohet që gjithnjë e më shumë do të ketë raste kur Kosova, e edhe Shqipëria, nuk do të jenë zgjedhje e dytë. Për këtë, ndër të tjera, kërkohet që edhe rezultatet e Kosovës të jenë dukshëm më të mira se deri më tani.