Futboll

Jo më “tiki taka” – Spanja fitoi pa dominuar në posedim

Spanja

Jo më e pangopur për topin, Spanja ka fituar ndeshjen e parë në “Euro 2024” duke luajtur ndryshe nga Spanja e zakonshme.

Statistikat e ndeshjes së fituar 3:0 ndaj Kroacisë, të shtunën, treguan diçka jashtëzakonisht të rrallë: Spanja e kishte topit prej vetëm 46 për qind të kohës.

Sipas Optas, ishte hera e parë në 136 ndeshjet e fundit garuese që Spanja e kishte topin më pak se kundërshtari. Kjo nuk kishte ndodhur që nga finalja e “Euro 2008” ndaj Gjermanisë, në të cilën Spanja kishte fituar 1:0 dhe po ashtu kishte posedim prej 46 për qind. 

“Gjëja e rëndësishme është të fitosh dhe të luash mirë, jo statistikat e posedimit”, ka thënë mesfushori Fabian Ruiz. Ai shënoi një gol dhe përgatiti një tjetër në fitoren ndaj Kroacisë.

Është një ndryshim shumë i madh në qasjen e një ekipi që ishte bërë sinonim i posedimit. Spanja ishte pothuajse e fiksuar pas mbajtjes së topit. Dhe strategjia kishte shërbyer. Spanja kishte fituar Kupën e Botës 2010 e më pas “Euro 2012”, duke dominuar në posedim.

Stili me pasime, i njohur si “tiki-taka”, ishte ndikuar shumë nga mënyra se si Barcelona luante në atë kohë.

Por kur stili i pasimeve, i perfeksionuar nga Xavi e Andres Iniesta, nuk po siguronte trofe, zëvendësuesit e dy mesfushorëve nisën të pasojnë edhe më shumë topin te njëri-tjetri.

Në dy Botërorët e kaluar Spanja u eliminua në ndeshjet ku realizoi mbi 1000 pasime. Por asnjëri nga lojtarët spanjollë nuk shënoi. Humbi me penallti nga Rusia në vitin 2018 dhe nga Maroku në vitin 2022.

Ato humbje u përjetuan rëndë dhe trajneri i ri i Spanjës, Luis de la Fuentes, ka revolucionarizuar prioritetet e ekipit. Ai ka vënë në pah aftësi të tjera të Spanjës pas fitores bindëse ndaj Kroacisë.

“Një nga virtytet që kemi janë shkathtësia dhe opsionet reale taktike, ndërsa loja zhvillohet”, tha De la Fuente. 

“Po e kthejmë këtë përfaqësuese në diçka me shumë opsione. Mund të kemi posedimin dhe sulme të organizuara, ose të dalim shpejt përpara. Dhe kjo është diçka për të cilën mund të jemi të kënaqur”, ka shtuar selektori spanjoll.