Futboll

Islami me synim të qartë - përmes Clujit te përfaqësuesja e Kosovës

Driton Islami

Numri i futbollistëve nga Kosova që po transferohen në klube evropiane po bëhet gjithnjë e më i madh. Së fundi Rumania është shndërruar në një nga destinacionet kryesore për futbollistët kosovarë.

Drilon Islami është futbollisti i radhës që nga Kosova që karrierën do ta vazhdojë në elitën e futbollit rumun.

Të hënën klubi i njohur rumun, Cluj, njoftoi për angazhimin e Islamit. Mesfushori deri më tani ishte te Prishtina. Madje ishte kapiten i skuadrës prishtinase. U vlerësua prej lojtarëve më të mirë të Superligës.

Islami te Prishtina qëndroi për dy vjet. E ka fituar dy herë Kupën e Kosovës. Kontrata me Prishtinën i përfundoi dhe te Cluji kaloi si lojtar i lirë.

24-vjeçari e vlerësoi hap shumë të qëlluar kalimin në ekipin rumun. Islami shpreson të përshtatet shpejt.

“Jam shumë i lumtur për kalimin te skuadra e Clujit. Mendoj qe është një hap i madh në karrierë, pasi që Cluji është një prej klubeve më të mëdha në Rumuni. Shpresoj që do te përshtatem shpejt. Nuk është e lehtë, por me kohë besoj që do të përshtatem në mjedisin e ri”, tha Islami të martën për KOHËN.

Ai do ta ketë më të lehtë për faktin se dy lojtarë të Kosovës janë pjesë e rëndësishme e Clujit. Bëhet fjalë për Meriton Korenicën e Lindon Emërllahun, aktualisht të grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës.

Edhe Islami shpreson që një ditë të pranojë ftesë nga selektori Franco Foda. Me transferimin në Rumani gjasat për këtë rriten. Trendi i deritashëm e dëshmon këtë. 

“Shpresoj që të kem paraqitje të mira me skuadrën e Clujit. Dhe përmes paraqitjeve pozitive të arrijë te ftesa nga Kosova”, u shpreh Islami.

Cluji është prej skuadrave më cilësore në Rumani. Këtë edicion e fitoi Kupën. Titullin e kampionit e ka fituar rregullisht prej vitit 2018 e deri në vitin 2022. Në dy edicionet e fundit ishte nënkampion, ndërsa pritet të luftojë për titull edhe në edicionin e ardhshëm.