Dinamo e Zagrebit ka shënuar fitore 3:1 ndaj Varazhdinit në elitën e futbollit kroat, ndërsa formën e shkëlqyer e ka vazhduar edhe Arbër Hoxha.
Sulmuesi i Shqipërisë realizoi dy gola tjerë për skuadrën e madhe kroate, në ndeshjen e xhiros së 14-të që u zhvillua në stadiumin “Maksimir”.
Goli i parë erdhi nga afërsia për Hoxhën.
Ai realizoi në minutën e 37-të për 2:0 fillimisht, me asistim të Mateo Lisicas.
Më pas në minutën e 53-të, Hoxha nisi një aksion në krahun e majtë. Kaloi disa futbollistë, kurse pasimin final e mori nga Miha Zajc. 27-vjeçari ishte i pagabueshëm me gjuajtje të saktë me të majtën për 3:0.
Ai luajti deri në minutën e 80-të.
Hoxha në 17 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual i ka pesë gola e tri asistime.
Golin e fundit në kampionatin kroat e kishte më 1 nëntor. Ishte supergoli i realizuar në derbin e fituar 2:1 ndaj Rijekës.
Dinamo Zagrebi është në pozitën e dytë me 28 pikë.
Çka thotë komentatori kroat për festën me shqiponjë të Hoxhës dhe spanjollit Domingues
Arbër Hoxha e ka festuar golin e dytë me Dinamon të shtunën, duke formuar figurën e shqiponjës dykrenore. Ai festoi së bashku me mbrojtësin 20-vjeçar spanjoll, Sergi Dominguez.
Ky moment u komentua edhe nga komentatori kroat i “Maxsport”, që po transmeton ndeshjen mes Dinamos dhe Varazhdinit.
“Vazhdon forma e shkëlqyer e Hoxhës që tani edhe Dominguezin e mëson se si të bëjë figurën e shqiponjes dykrenore...”, ka thënë komentatori gjatë transmetimit të ndeshjes.