Nëntë minuta pasi u inkuadrua në fushë, futbollisti i Kosovës Besart Celina u bë hero i derbit të Stockholmit. Celina në fushë u inkuadrua në minutën e 30-të, ndërsa nëntë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 39-të shënoi golin e epërsisë 1:0 për AIK-un ndaj Djurgardenit të dielën në stadiumin “Tele2 Arena” të Stockholmit. Ai zgjodhi ta festojë supergolin me disa persona që ndodheshin afër bankinës së Djurgardenit. Festa e tij u vlerësua provokim nga lojtarët dhe trajnerët e Djurgardenit. AIK-u e fitoi derbin e Stockholmit me rezultatin 2:0.
Por, Celina insiston se nuk ishte provokim.
“Kam festuar me familjen, nuk ka asgjë provokuese”, ka thënë Celina.
Në fakt, në afërsi të bankinës së Djurgadenit u krijua një tollovi. Pati kapje për fanellash e shtyrje nga lojtarët e trajnerët e të dyja ekipeve. Trajnerët e Djurgardenit Kim Bergstrand dhe Henok Goitom u përjashtuan pas tollovisë së krijuar në afërsi të bankinës. Trajneri Bergstrand nuk u pajtua me gjyqtarin e ndeshjes Victor Wolf.
“Si dreqin mund të më japësh një të kuqe”, dëgjohet duke e pyetur trajneri i Djurgardenit, gjyqtarin Wolf.
I pakënaqur u shpreh pas pjesës së parë edhe mesfushori i Djurgardenit, Rasmus Schueller.
“Nuk ka të bëjë me futboll”, ka reaguar Schueller.
Gazetari Diljen Otlu raportoi se familja e Celinës ndërroi vend pas tensioneve të krijuara në bankinën e Djurgardenit.
I ashpër në reagim ishte edhe mbrojtësi i Djurgardenit, Marcus Danielso.
“Ata vrapuan dhe festuan para bankinës sonë. Është e qartë se do të ketë reagime”, ka theksuar Danielso.
Ndeshja rinisi pas ndërprerjes disa minuta, por ajo që ndodhi pas golit të Celinës ishte “sherri” i dytë.
Tollovia e parë ndodhi në minutën e 28-të. Dino Beshiroviq i AIK-ut i shoqëruar nga dy mjekët e ekipit provokoi tifozët e ekipit vendës duke kapur me duar logon e klubit. Gjesti i tij u pa si provokim nga lojtarët e Djurgardenit që nisën konfrontimin me lojtarin dhe mjekët e ekipit të AIK-ut.
Katër minuta para se Celina të shënonte golin e epërsisë, te Djurgardeni pretenduan për një penallti. Por gjyqtari vlerësoi se ndërhyrja brenda zonës së 16-të metërshit të AIK-ut ishte e rregullt.
Për shkak të ndërprerjeve të shumta, gjyqtari Victor Wolf shtyu pjesën e parë për 11 minuta.
Edhe pjesa e dytë e ndeshjes nuk ishte aspak e qetë, sidomos fundi i saj. Në minutën e 90-të, tifozët vendës nisën ndezjen e fishekzjarrëve. Lojtarët e të dyja skuadrave u detyruan të futeshin në dhomat e zhveshjes dhe qëndruan rreth 15 minuta. Pati diskutim në mes të zyrtarëve policorë, sigurimit dhe të dyja klubeve për trazirat që ndodhën gjatë 90 minutave.
Pas rikthimit të lojtarëve në fushë, një pjesë e madhe e shikuesve ishin larguar nga tribunat. Derbi i Stocholmit i takoi AIK-ut, që zë vendin e tetë me 29 pikë. Djurgardeni është në vendin e tretë me 35 pikë.