Futboll

Baftiu “Ylli i Javës”

Blend Baftiu

Blend Baftiu i Prishtinës është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së tetë të Superligës së Kosovës. 

Ishte komisioni i veteranëve të futbollit, ai që ka vlerësuar 27-vjeçarin Baftiu si më të mirin e javës.

Baftiu e realizoi golin vendimtar që ia siguroi fitoren Prishtinës në derbin ndaj Ballkanit. 

Prishtina të shtunën në ndeshjen që u zhvillua në kampin nacional të FFK-së në Hajvali fitoi 1:0. 

“Më vjen mirë që, falë golit tim, fituam tre pikë dhe këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve, të cilët japin kontribut shumë të madh, si edhe ‘Plisave’, të cilët nuk mungojnë në asnjë ndeshje dhe janë një shtysë shumë e madhe për ne. Atmosfera është shumë e mirë në ekip, dhe kjo është falë rezultateve që kemi arritur. Pretendimet e Prishtinës, si ekipi më i madh në vend, janë gjithmonë titulli kampion.
Ndjehem shumë mirë që jam vlerësuar si lojtari më i mirë i javës, dhe më vjen mirë që po kontribuoj. Shpresoj ta ruaj këtë formë edhe në vazhdim dhe ta ndihmoj skuadrën në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë mesfushori Baftiu të martën për faqen zyrtare të FFK-së.