Futboll

Asllani flet për momentin që e kishte pritur shumë gjatë

Fisnik Asllani

Falë golave të dyshes së re në sulm, Hoffenheimi shënoi fitore 2:1 në udhëtim ndaj Bayer Leverkusenit. Fisnik Asllani e shënoi golin e parë në Bundesligë

Kicker – Momenti i festës e bëri të qartë se sa shumë me domethënie ishte goli për Fisnik Asllanin. Së pari, sulmuesi i Hoffenheimit festoi në mënyrën e tij të zakonshme, pastaj si shenjë falënderimi, u ul në gjunjë dhe e puthi fushën për ta mbajtur në mend këtë moment. 

“E kam pritur këtë moment për një kohë shumë, shumë të gjatë”, tha Asllani me fytyrën e tij të buzëqeshur.

“Sepse nuk shkoi aq mirë herën e parë në vitet e kaluara, kështu që ishte një ëndërr e bërë realitet për mua dhe familjen time. Goli i parë në Bundesligë më bën jashtëzakonisht krenar”.

Një gol spektakolar po ashtu. Bazoumana Toure ia kaloi topin mes këmbëve një lojtari të Leverkusenit, ndërsa Asllani menjëherë gjuajti nga një kënd i vështirë dhe barazoi për rezultatin 1:1.

Sulmuesit, i cili dikur ishte transferuar nga të rinjtë e Union Berlinit, iu deshën dy rrugë të tjera për t’u bërë pjesë e ekipit të parë të Hoffenheimit. Pas një periudhe huazimi tek Austria Vjenës, ai kaloi një tjetër sezon tek Elversbergu, ku 23-vjeçari e bëri përparimin e tij sezonin e kaluar së bashku me Muhammed Damar, i cili po ashtu ishte rikthyer.

Asllani, lojtari i ndeshjes

Asllani duket se e ka marrë vendimin e duhur për t’u kthyer te Hoffenheimi.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Të kthehem këtu pas dy vjetësh dhe të shënoj gol në një fitore kaq të madhe në ndeshjen tonë të parë në udhëtim kundër Lverkusenit, është ndjenjë fantastike”.

Ai gjithashtu luajti rol kyç edhe në golin e dytë, duke pranuar një top dhe duke e ruajtur atë me shumë zgjuarsi, në mënyrë që partneri i tij në sulm, Tim Lemperle, të ishte në gjendje të gjuante pa u penguar në portë. Gjuajtja e tij përfundoi në rrjetë për rezultatin 2:1.

“Unë dhe Fisniku punuam jashtëzakonisht shumë, ishim të fokusuar dhe u shpërblyem”, tha Lemperle i gëzuar. “Kjo i pasqyron edhe përgatitjet, për të cilat kemi bërë shumë përpjekje, përfshirë Max Moerstedtin, i cili po ashtu po përballon gjithçka në mënyrë të shkëlqyer.

Me një gol dhe një asistim, Asllani e fitoi epitetin e më të mirit në ndeshje, por e theksoi frymën e re të ekipit.

“Çfarë paraqitje e ekipit, mënyrë se si luftuam fort këtu”, tha Asllani. “Ne ishim 1:0 duke humbur, pastaj dy lojtarë u lënduan dhe na u desh ta kompensonim këtë me lojtarë të rinj, por ia dolëm shumë mirë. Edhe ata që hynë në fushë, u përshtatën menjëherë në ritmin e lojës. Një kompliment i madh për ekipin, për paraqitjen në ndeshje”.

Reflektimi i Hoffenheimit

Pas rezultateve të dobëta sezonin e kaluar, në të cilin i shpëtoi rënies nga kategoria, Hoffenheimi bëri një deklaratë menjëherë, duke sinjalizuar se skuadra, me përbërje të re dhe moral të madh, mund të jetë sërish klub konkurrues.

Ky unitet u reflektua edhe në deklaratat e të gjithëve. Kur u pyetën për synimet e tyre, te Hoffenheimi ishin të matur, duke folur vetëm për ndeshjen e tyre të radhës në shtëpi kundër Franfurtit. Mbetet e paqartë nëse Wouter Burger dhe Koki Machida do të jenë të gatshëm kundër Eintracht Franfurtit.