Ajo që nisi si një ide argëtuese e ndarë në internet, në 493 ditë është rritur në diçka shumë më të madhe se që e kishte parashikuar krijuesi i saj.
Frank Ilett, i njohur si “The United Strand”, postoi një video më 5 tetor 2024, ku ai i bënte vetes prerjen e fundit të flokëve deri në momentin kur Manchester Unitedi t’i kishte pesë fitore rresht.
Në një video ai kishte pyetur numrin e vogël të ndjekësve të tij nëse qethja e radhës do të ishte në vitin 2024, 2025 apo 2026. Nga 27 mijë përgjigje, 90 për qind thanë në vitin 2026.
Dhe pasi Unitedi barazoi 1:1 me West Ham Unitedin të martën, pritja vazhdon. Unitedi i kishte katër fitore rresht para ndeshjes me West Hamin.
Illet tani ka më shumë se 2,3 milionë ndjekës në rrjete sociale. Ai ishte autor i një transmetimi direkt në “YouTube” gjatë ndeshjes të së martës. Herë pas here ai shikohej nga 100 mijë njerëz njëkohësisht.
Ai kishte thënë për BBC se koncepti “jo fitore, jo qethje” fillmisht u filmua si argëtim i padëmshëm, i projektuar për të ndarë pozitivitet gjatë një periudhe frustruese për tifozët e Unitedit.
“Dua vetëm t’u sjell pak gëzim tifozëve të tjerë të Manchester Unitedi në këtë kohë të çuditshme të klubit”, kishte thënë Ilett.
Ai kishte pritur që Unitedi për tre apo katër muaj të “lidhte” pesë fitore. Për herë të fundit kur Unitedi i shënoi pesë fitore radhazi ishte nga janari e shkurti i vitit 2024.
Unitedi e kishte një periudhë pa pesë fitore rresht që zgjati plot 902 ditë. Dhe ajo kishte përfunduar në vitin 1999.
Për Ilettin, ndërsa muajt kalonin, sfida eskalonte. Ajo që filloi si një video argëtuese u bë simbol i vështirësive të Unitedit. Flokët e Ilettit janë paraqitur në mediat sociale, duke përkujtuar javë pas jave sa sa poshtë kishte rënë skuadra.
“Flokët e mi janë përfaqësim vizual se Manchester Unitedi nuk është në vendin ku duhet të jetë”, tha Ilett.
Krahas vëmendjes në rritje erdhi edhe monetizimi, shtrirja gjithnjë e më e madhe dhe një energji që ai nuk e kishte parashikuar.
“Nuk ka të bëj me mua. Ka kaq shumë njerëz që më ndjekin. Nuk mund vetëm të ndalem”, thotë tifozi.
Ilett tani ka një agjent që merret me pyetje komerciale dhe ka nisur partneritet me marka të mëdha mediatike. Dhe përfiton nga flokët që i rriten. Ka edhe një kompani që merret me kërkesat e mediave.
Ai shpreson që qethja të bëhet në “Old Trafford”, për më tepër nga njëri prej lojtarëve të Unitedit.
Për Manchester Unitedin pritja e Ilett për pesë fitore radhazi është bërë bezdi e padëshiruar. Në një kohë dukej që Unitedi ishte i gatshëm të pranonte shakanë.
Por tani e shpërfill atë. Kapiteni Bruno Fernandes dhe trajneri Michale Carrick u pyetën për këtë pas fitores së katërt rresht dhe thjesht e anashkaluan. Por Carrick pranoi se dinte për këtë nga ajo që i kishin thënë fëmijët.
Ilett planifikon të dhurojë flokët e prera për bamirësi.
Një pjesë e tifozëve nuk po e pranojnë më shakanë e Ilettit. Një tifozi iu ndalua hyrja në “Old Trafford” për sulm ndaj Ilettit në ndeshjen në shtëpi ndaj Chelseat në shtator 2025. Të tjerë kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tij në një reklamë për një kompani të lojërave të fatit. Ka edhe shumë që e përkrahin.
Por të gjithë duan që ky tregim thjeshtë të përfundojë.