Futboll

FFK-ja do të kërkojë ndëshkime për Federatën e Futbollit të Rumanisë

Superliga FFK

Pas shpalosjeve të flamujve serbë dhe thirrjeve anti-Kosovë nga tifozët rumunuë në ndeshjen ndërmjet Farul Constantas dhe KFF Mitrovicës, Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar duke thënë se do të kërkojë ndëshkime për Federatën rumune nga UEFA.

FFK-ja ka shkruar të mërkurën në mbrëmje për atë që ndodhi në “Central Stadium Hagi Academy”, në ndeshjen e vlefshme të raundit të parë për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh indinjatën dhe reagon ashpër ndaj sjelljeve të papranueshme të tifozëve rumunë gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve për femra ndërmjet Farul Constantas dhe Mitrovicës. Shfaqja e flamujve të Serbisë dhe thirrjet kundër shtetit të Kosovës, janë veprime të papranueshme dhe të dënueshme, e që bien ndesh me frymën e futbollit dhe ‘fair-playt’”, ka shkruar FFK-ja ndër të tjera, dhe ka kërkuar ndëshkim ndaj Federatës rumune të futbollit.

“FFK do të dërgojë një notë proteste zyrtare në Federatën e Futbollit të Rumanisë dhe në UEFA, duke kërkuar ndëshkime dhe veprime konkrete ndaj provokimeve të tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen”, shkruan tutje në komunikatën e FFK-së.

FFK-ja po ashtu ka kërkuar nga “Dardanët” kujdes të shtuar për ndeshjen ndaj Rumanisë të premten në Prishtinë, që është e para e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

“FFK apelon tek opinioni futbolldashës që të jenë të përqendruar vetëm në futboll, duke lënë mënjanë sjelljet e tilla të tifozëve rumunë dhe nga shtetet tjera mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës. Futbollistët tanë dhe tifozët do të vazhdojnë të jenë shembull i sjelljes sportive, duke u fokusuar vetëm në fushën e lojës dhe duke treguar motivimin dhe përkushtimin maksimal për të arritur sukseset e reja”, ka shkruar FFK-ja.