Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« Dua » part à la recherche du « cœur de Sarajevo » avec Pristina des années 90

Një pjesë e ekipit të filmit "Dua" në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

Një pjesë e ekipit të filmit në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

Sarajeva e ka përjetuar luftën në vitet ’90. E pak pas saj, edhe Prishtina. Kryeqyteti boshnjak, në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, ka parë një rrëfim aparteidi e lufte të Prishtinës nëpërmjet syve të një adoleshenteje. “Dua” nën regji e me skenar të Blerta Bashollit e ka pasur premierën rajonale në Teatrin Kombëtar të Sarajevës. Është mirëpritur jo veç si histori e ndjeshme por edhe si trajtim artistik. E për kualitetin që ka është në garë për “Zemrën e Sarajevës”

Filmi “Dua”, nën regji dhe me skenar të Blerta Bashollit, është dhënë të martën mbrëma premierë rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë, duke sjellë në një prej skenave më të rëndësishme të kinemasë në rajon e Evropë një histori të Prishtinës së fundviteve ’90, të parë nëpërmjet syve të një vajze 13-vjeçare. Në qytetin ku lufta ende nuk ka shpërthyer plotësisht, por prania e saj kundërmon me të madhe në të gjitha anët, Dua Gashi rritet midis dëshirës për të pasur jetë prej adoleshentes dhe pamundësisë që s’i shihet fundi. Filmi 101-minutësh është pjesë e garës kryesore të Festivalit, asaj të Filmave të Gjatë Artistikë në edicionin e 32-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Premiera rajonale e “Duas” në Sarajevë vjen pas premierës botërore në “Semaine de la Critique” të Festivalit të Cannes, ku filmi i Bashollit u përzgjodh në garën e filmave të gjatë dhe fitoi çmimin “SACD”. Në Sarajevë, filmi është shfaqur në edicionin ku gara kryesore përfshin 10 filma, ndërsa “Dua” është njëra nga dy veprat nga Kosova në këtë kategori, krahas “Shame and Money” të Visar Morinës. Të dy filmat janë premiera rajonale dhe garojnë për çmimin “Zemra e Sarajevës”. Për filmin më të mirë të kategorisë është paraparë çmimi prej 16 mijë eurosh, ndërsa çmime të veçanta ndahen edhe për regjinë, aktoren dhe aktorin më të mirë. 

Përtej konkurrencës, prania e dy filmave nga Kosova në të njëjtën garë i jep këtij edicioni peshë të veçantë për kinematografinë e shtetit më të ri në Evropë. Këtë e ka vënë në pah edhe selektorja e kategorisë kryesore, Elma Tataragiq, e cila para shfaqjes së “Duas” ka folur për suksesin e filmit dhe për praninë e Kosovës në Festival. 

“Ky është filmi i dytë artistik i Blertës, pas filmit të saj të parë, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm disa vite më parë dhe që ne e kemi prezantuar gjithashtu në Festival. Jam shumë e lumtur që kemi sërish një film të dytë artistik, i cili tashmë është një sukses. Ishte një nga filmat e rrallë nga rajoni që u shfaq në Festivalin e Filmit në Cannes këtë vit. Ishte gjithashtu një nga filmat për të cilët u fol më shumë në Festival këtë vit. Ky është edhe filmi i dytë nga Kosova në programin e garës. Pra, ky është sërish një vit shumë i mirë për kinemanë e Kosovës”, ka thënë Tataragiq në skenë. 

Në skenën e Sarajevës, Basholli është kthyer edhe te marrëdhënia e saj personale me këtë qytet. Para shfaqjes, ajo ka kujtuar vizitën e parë në Festival, dy dekada më parë, dhe ka folur për lidhjen që “Dua” krijon me një përvojë që, në forma të tjera, është e afërt edhe me kujtesën e Sarajevës dhe Bosnjë-Hercegovinës. 

aussi « Face à face » raconte l'histoire de celles qui ont été violées pendant la guerre Culture « Face à face » raconte l'histoire de celles qui ont été violées pendant la guerre

“Është shumë emocionuese dhe e veçantë për mua të jem këtu sonte. Kam qenë në Sarajevë 20 vjet më parë, pikërisht në vitin 2006, me një film dokumentar. Dhe ende sot, gjithçka më duket po aq e ngrohtë dhe mikpritëse sa atëherë, para dy dekadave. Është shumë e veçantë për mua të jem këtu, sepse po shfaqim një film që ka një përvojë shumë të ngjashme me atë që kanë përjetuar edhe njerëzit e Sarajevës dhe të Bosnjës. Prandaj, shpresoj shumë që të gjeni në këtë film diçka me të cilën mund të identifikoheni dhe të lidheni emocionalisht. Dhe jo vetëm njerëzit e Bosnjës dhe të Sarajevës, por të gjithë ju. Ky është një film shumë i dashur dhe personal për mua. Prandaj, ju falënderoj. Të kesh një sallë plot është shpërblimi më i madh për një kineast”, ka thënë ajo.

Premiera është dhënë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, një hapësirë që, edhe për nga historia, i jep një tjetër shtresë simbolike një filmi që merret me kujtesën. Ndërtesa e sotme e Teatrit Kombëtar ishte hapur më 2 janar 1899 si “Shtëpia Shoqërore”, ndërsa si institucion teatror vepron në të që prej vitit 1921. Në më shumë se një shekull, kjo shtëpi ka kaluar përmes periudhave të ndryshme të historisë së qytetit, duke vazhduar aktivitetin edhe gjatë viteve më të vështira të luftës në Sarajevë.

Kështu, rrëfimi i një vajze nga Prishtina e viteve ’90 është shfaqur në sallën që vetë është dëshmitare e historive të dhunës, qëndresës dhe mbijetesës.

Por “Dua” nuk është thjesht një film për pragun e luftës. Basholli ka zgjedhur ta afrojë kamerën te mosha kur njeriu ende po mëson të kuptojë botën, por kur bota e detyron të rritet më shpejt. Ngjarja vendoset në Prishtinën e fundviteve ’90. Dua është një vajzë e turpshme, e cila përpiqet të gjejë vendin e saj midis shoqërisë, trupit që ndryshon dhe një realiteti që po bëhet gjithnjë e më i pasigurt. Një mbrëmje në një lokal, teksa ajo kërcen me simpatinë e saj, ndërhyn policia serbe dhe të pranishmit shpërndahen në panik. Ajo që fillon si një moment i zakonshëm i një adoleshenteje kthehet menjëherë në një kujtesë se në çfarë kohe po jetonte.

Në shtëpi, familja mblidhet për darkë, ndërsa lajmet sjellin pamje dhe informacione për dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga Kosova. Në rrugën për në shkollë, Dua dhe shoqet e saj përballen me një tjetër shenjë të kohës: Leonora, shoqja e tyre, gjendet e vrarë. Frika për të ardhmen merr formë. Familja e Leonorës vendos të largohet. Ndërsa të tjerët ende përpiqen të besojnë se jeta mund të vazhdojë si më parë. Dua, që luhet nga Pinea Matoshi, e sheh atë që shumë prej bashkëmoshatarëve të saj përpiqen të mos e shohin.

Kjo është edhe pika ku filmi e ndërton tensionin e tij më të madh: midis normalitetit të dëshiruar dhe realitetit që nuk lejon veç normalitet. Në sfond dëgjohen këngë të rinisë, një frymë hip-hopi që shpreh në mënyrë të tërthortë revoltën e një brezi, ndërsa rrugët e Prishtinës mbushen me policë, demonstrata dhe pasiguri. Në një prej këtyre hapësirave të pasigurta, Dua gjen një formë të pazakontë rezistence: xhudon. Ajo nis stërvitjet me një trajner, rol që luhet nga Arben Bajraktaraj dhe, në një kohë kur dhuna duket se është bërë gjuhë e përditshme, mëson një disiplinë që i jep trupit një tjetër mënyrë për të reaguar.
Por “Dua” është po aq film për familjen sa është film për një gjeneratë. Basholli ka dashur që përmes familjes së personazhit kryesor të flasë për prindërit e saj dhe për mijëra prindër të tjerë shqiptarë që në vitet ’90 u përpoqën të mbanin familjet gjallë, pa e lejuar frikën të bëhej e dukshme. 

“Filmi është i bazuar në jetën time. Është shumë personal. Shumë prej elementeve, momenteve, skenave në film, janë eksperiencë e imja dhe familjes sime. Është bazuar në kujtimet e mia. Kam dashur t’ia kushtoj familjes sime sepse sa herë kam punuar në film, gjatë tërë kohës kam menduar sesi kanë mundur të na rrisin në atë periudhë, si asnjëherë nuk e kanë shprehur frikën. Unë i kam dy tash, e ata i kanë katër. Mund të imagjinoja sesi mami dhe babai asnjëherë nuk ua kam parë frikën në fytyrë sepse janë munduar ta fshehin”, ka treguar Basholli për KOHËN, pas shfaqjes së filmit. 

Pas kësaj kujtese personale qëndron edhe një pyetje e dhimbshme për sakrificën e prindërve.

“Por e imagjinoj edhe çfarë kanë përjetuar e dëgjuar tërë kohën, duke menduar si të mbijetojmë financiarisht e mandej edhe si t’i mbrojnë fëmijët e tyre: a ta ruajnë djalin se po ia marrin serbët apo t’i ruajnë vajzat nga abuzimi e dhunimi. Më është dukur shumë e rëndë dhe kam dashur t’i falënderoj për të gjithë sakrificën që e kanë bërë për ne dhe për gjithë mundin që të na mbrojnë me çdo kusht”, ka shpjeguar ajo.

Babai i Duas, i luajtur nga Kushtrim Hoxha, është një tjetër figurë përmes së cilës filmi e lidh kujtesën personale me atë kolektive. Hoxha ka thënë se shumë prej përvojave të personazhit i ka njohur edhe vetë. 

“Të them të drejtën, e kam përjetuar gati të njëjtën gjë, sepse kam qenë në moshën rreth 20-vjeçare në atë kohë. I kam përjetuar gjithashtu vitet ’90, sepse kam qenë i ri në atë kohë dhe e kam përjetuar njëjtë si Dua në film. Ka qenë një lloj aparteidi ku gjithçka që kemi bërë ka qenë e organizuar vullnetarisht, si shkolla, prindërit tanë e kanë mbajtur familjen pa rroga. Unë e kam përjetuar këtë edhe në shtëpinë time ku nëna ime ka qenë mësuese, por ka marrë vetëm 40 marka në muaj, kështu që është detyruar të bëjë edhe punë tjera për të mbijetuar”, ka treguar aktori.

Për Hoxhën, vitet ’90 nuk mund të reduktohen vetëm në një histori dhune. Ato kanë qenë edhe vite të solidaritetit, të një shoqërie që u përpoq të mbijetonte duke u mbështetur te njëri-tjetri.

“Vitet ’90 janë shumë interesante për mua, shumë të çuditshme. Kanë qenë edhe vite kur kemi krijuar njëfarë dashurie midis vete, kur e kemi mbrojtur njëri-tjetrin dhe në fund ka qenë edhe lufta për rezistencë si pasojë e gjithë dhunës që na ka ndodhur si popull. Në fund ka ndodhur që disa kanë luftuar, disa janë dëbuar. Ka pasur tragjedi të mëdha”, ka thënë ai.

Në qendër të këtij universi është Pinea Matoshi, e cila me “Dua” bën një nga hyrjet e saj të rëndësishme në kinemanë artistike. Ajo është në garë për çmimin “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë.

Për të, ky rol ka qenë një përvojë e re, por edhe një kthim emocional në një kohë që e njeh përmes historive të brezit të prindërve të saj. 

“Ndihem shumë mirë që jam në garë për aktoren më të mirë. Nëse e fitoj, m’i hap shumë rrugë. Jam shumë e emocionuar për këtë”, ka thënë Matoshi.

aussi Phyllida Law – l'actrice à succès de nombreuses scènes Culture Phyllida Law – l'actrice à succès de nombreuses scènes

Ajo ka treguar se hyrja në botën e adoleshentes së viteve ’90 nuk ka qenë e lehtë. 

“Ka qenë pak i vështirë duke e ditur se prindërit e kanë jetuar në atë kohë. Ka qenë shumë emocionale për mua, por ka qenë përvojë shumë e mirë. Blerta më ka ndihmuar në disa skena, Kushtrimi dhe të gjithë aktorët, pasi është hera e parë që kam luajtur në film. Në fillim nuk kam dashur fare të jem aktore derisa më ka bindur mami dhe Blerta. Xhirimet e para kanë qenë të vështira derisa ia kam marrë dorën, por me ndihmën e Blertës të gjitha i kam kryer shumë mirë”, ka treguar ajo.
Në ndërtimin e filmit, Basholli ka dashur të ruajë distancën e nevojshme nga autobiografia. Edhe pse kujtimet personale janë pika e nisjes, “Dua” nuk është menduar si një rikonstruksion i drejtpërdrejtë i jetës së regjisores. Elementet fiktive janë shtuar për ta zgjeruar rrëfimin dhe për ta bërë historinë e një vajze edhe historinë e një gjenerate të tërë. 

Edhe Prishtina e filmit është dashur të rindërtohet. Basholli ka insistuar që një pjesë e rëndësishme e xhirimeve të bëhej në Ulpianë, lagjen ku është rritur dhe ku ka përjetuar vetë shumë prej ngjarjeve që i ka bartur në film. 

“Ka qenë e vështirë të sillet prapë imazhi i Prishtinës së viteve ’90 sepse ka ndryshuar shumë. Kur i kemi bërë hulumtimet e para kam thënë se paska vende ende. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të xhiroj në Ulpianë sepse aty jam rritur dhe i kam përjetuar gjithë këto gjëra. Kam dashur gjithsesi të xhiroj aty, nuk kam mundur të imagjinoj lagje tjetër. Por kemi nisur përgatitjet e filmit, kam parë se ka shumë elemente që duhet të ndërrohen. Mjafton vetëm sa vetura është dashur të hiqet. Duke iu falënderuar vullnetit të madh të ekipit e edhe Komunës e Qeverisë, kemi arritur të bëjmë që Prishtina t’i përngjajë në film viteve ’90”, ka treguar Basholli.

Në film, qyteti është një personazh më vete. Prishtina shfaqet si një hapësirë që ngushtohet gradualisht rreth personazheve. Shkolla mbyllet, ashtu edhe kursi i xhudos, dritaret mbulohen me batanije të trasha dhe familjet jetojnë me zërat e lajmeve dhe me lajmin e radhës që mund të ndryshojë gjithçka. Në një moment, lajmi për bombardimet e NATO-s sjell një fije shprese në familjen e Duas, por edhe një valë tjetër zemërimi dhe dhune nga pushteti serb.

Ndërkohë, babai i saj është i papunë, i nxjerrë jashtë sistemit, ndërsa vëllai Vegimi përballet me pyetjen që shumë të rinj shqiptarë e kanë pasur në atë kohë: të qëndrosh apo të luftosh. Në film, UÇK-ja përmendet si një formë rezistence dhe, kur Vegimi shpreh dëshirën për t’u bashkuar, familja përballet me frikën e humbjes së një djali. “Dikush duhet me shku”, thotë ai. Në këtë fjali përplasen dy detyrime: ai ndaj familjes dhe ai ndaj një vendi që po hynte në luftë.

Xhudoja bëhet metaforë e një rezistence që fillon në heshtje. Dua mëson të rrëzojë kundërshtarin, derisa qyteti i saj përpiqet të mos rrëzohet.

Në fund, Prishtina boshatiset. Familja hip në tren dhe deportohet. Pas skenës mbyllëse shfaqet dedikimi: “Për nënën dhe babanë tim”. Është një fjali e thjeshtë, por që e rikthen gjithë filmin te pika prej nga ka nisur: te kujtesa e Bashollit dhe te prindërit e saj, të cilët, siç ka thënë ajo, u përpoqën ta fshehin frikën në mënyrë që fëmijët të mund të rriteshin.

Pas “Zgjoi”, filmi i ri i Bashollit sjell edhe një bashkëpunim tjetër me Yllka Gashin, e cila në “Dua” luan nënën e personazhit kryesor. Në këtë rast, Gashi hyn në një histori tjetër të viteve ’90, por sërish përmes një familjeje që përpiqet të ruajë një lloj normaliteti përballë një realiteti që po shkatërrohet. Në role të tjera janë Vlera Bilalli, Kaona Matoshi, Andi Bajgora, Arben Bajraktaraj dhe aktorë të tjerë.
Në Sarajevë, ekipi i filmit ka qenë i pranishëm në premierën rajonale, me producentin Valon Bajgora, asistenten e producentit Blerta Haziraj, aktorin Kushtrim Hoxha, Pinea Matoshin dhe regjisoren Blerta Basholli.

Pritja e parë në Sarajevë, sipas regjisores, ka qenë e mirë.

“Pritja e publikut mendoj se ishte e mirë. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme ta prezantoj filmin në Sarajevë, një festival që më pëlqen shumë. E dua, dhe jam gëzuar shumë kur na kanë ftuar zyrtarisht ta shfaqim filmin. Unë në çdo garë pres diçka, kështu që, ta shohim”, ka thënë Basholli.

“Dua” ka pasur edhe dy shfaqje të tjera në kuadër të festivalit, duke e mbajtur filmin në kontakt me publikun e Sarajevës pos mbrëmjes së premierës. Prania e tij në këtë edicion vjen në festivalin që këtë vit po mbahet nga 14 deri më 21 gusht dhe që në garën kryesore ka përfshirë 51 filma në katër kategori konkurruese.

E “Dua” qëndron midis dy kujtesash: asaj të Kosovës dhe asaj të Bosnjës. Dy qytete të ndryshme, dy luftëra të ndryshme, por me një gjuhë të përbashkët të kujtesës.

Publiku ka mbushur plotësisht sallën e Teatrit Kombëtar me mbi 400 ulëse. E ka duartrokitur gjatë para shfaqjes, e edhe më fort në fund të saj. 

Fjalët e Elena Reizidou, nga Greqia, pas shfaqjes së filmit, e kapin në thelb atë që Basholli duket se ka kërkuar të bëjë: të flasë për një histori konkrete pa e mbyllur atë brenda kufijve të saj.

“Është një film i mrekullueshëm. Më pëlqeu shumë. Mendoj se është filmi i dytë nga Kosova që shfaqet në festival. I pari ishte ‘Turpi dhe Paraja’, i cili ishte gjithashtu një film i mrekullueshëm. Është shumë realist. Flet për jetën, për jetën reale. Dhe kinemaja është jetë. Pikërisht për këtë arsye më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Më preku shumë”, ka thënë ajo.

aussi Le cinéma comme pont entre les Balkans et l'Europe Culture Le cinéma comme pont entre les Balkans et l'Europe

Blerta Basholli e rikthen Prishtinën e viteve ‘90 përmes një vajze që ende dëshiron të dashurojë, të kërcejë, të ketë shoqe, të ushtrojë xhudo dhe të mos largohet nga shtëpia e saj. Lufta i afrohet asaj, por filmi nuk e humb kurrë shikimin e vajzës. Në fund, kur treni niset dhe qyteti mbetet pas, “Dua” nuk mbyllet vetëm me familjen që largohet nga Prishtina. 

Filmi mbyllet me kujtimin e një brezi që u rrit para kohe dhe me një dedikim të vogël për ata që, në ato vite, e mbajtën frikën për vete që fëmijët e tyre të mund të vazhdonin ta jetonin atë.