Në edicionin e tretë të festivalit të letërsisë “Zana”, drejtoresha ekzekutive, Nora Prekazi, e ka përmbushur një premtim që e kishte dhënë në sektorin e etnologjisë në Muzeun e Mitrovicës. Kishte pranuar një grup vizitorësh nga komuniteti i të verbërve dhe detyra e ciceronit – punë që e bënte për më shumë se një dekadë – u kthye në sfidën më të madhe për të. E kishte dhënë fjalën se do të punonte për realizimin e ndonjë materiali për këtë komunitet. Poezitë e përmbledhura nga Festivali, të cilin Prekazi e ka themeluar, tash janë të qasshme edhe për pjesëtaret e komunitetit të të verbërve.
Në Qendrën për Praktikë Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” u zhvillua mbrëmja poetike dhe u promovua libri në alfabetin Braille me përmbledhjen e poezive nga dy edicionet parapake të festivalit “Zana”.
“Ideja ka ardhur në muze ku vitin e kaluar kam pasur vizitë nga komuniteti i të verbërve. Për 11 vite ku unë kam shpjeguar në Muzeun e Mitrovicës, me pasionin tim për me e përshkruar atë institucion ka qenë dita më e vështirë e shpjegimit për mua për shkak se nuk e kemi pasur as edhe një material për t’i ofruar këtij komuniteti. Jam ndier shumë e mangët dhe e pata thënë para gjithë pjesëmarrësve që ishin aty që po ju premtoj se do ta bëj një material, çkado që është ai, por të paktën që vjen prej Mitrovicës. Meqë jam edhe udhëheqëse e festivalit të letërsisë ‘Zana’, aplikimi i parë ka shkuar për përkthimin e një libri me poezi që të transkriptohet në alfabetin brail”, deklaroi Prekazi.
Libri është botuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës. Poezitë i lexuan nxënësit e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda“ në Pejë. Me të filluar leximi i poezive dritat u fikën.
Dardan Selimaj, kurator i mbrëmjes poetike, ka thënë se ishte frymëzuar nga një pianist italian i verbër, i cili kishte thënë se nuk duhet dritë për ta shijuar muzikën.
“Ka qenë një bisedë me Nora Prekazin në një nga ngjarjet të cilat i kemi përcjellë bashkë edhe kur më tregoi për idenë për botimin e një libri, një përmbledhje poezish nga dy edicionet e kaluara të festivalit ‘Zana’ të përkthyera në alfabetin e brailit më është kujtuar menjëherë një koncert që e pata përcjellë. Ka qenë një koncert i një pianisti të njohur italian, i verbër që e fton publikun ta dëgjojë tërë koncertin në errësirë dhe në të njëjtën kohë katër vitet e fundit të babit tim unë e kam shoqëruar atë, ai e ka humbur shikimin kështu që kam qenë i vetëdijshëm me gjithçka me të cilën komuniteti i të verbërve ballafaqohet”.
Duke shpresuar që kjo të mos jetë ngjarja e tillë e fundit, ai ka theksuar se sado shumë që bëhet për komunitetin e të verbërve asnjëherë nuk është mjaftueshëm.
“Ne shpeshherë jemi të zhytur në dinamikën e përditshmërisë kështu për mua ka qenë jashtëzakonisht nder që jam pjesë e ngjarjes dhe bashkë me Norën ta realizojmë gjithë këtë. Po shpresoj që kjo nuk do të jetë e para dhe e fundit por do të jetë fillimi i një cikli i mbrëmjeve poetike të cilat ndoshta do të zhvillohen edhe më shumë e të vijnë në forma tjera”, shtoi tutje Selimaj.
Falënderues për këtë iniciativë është shprehur kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, duke thënë se ngjarjet e tilla janë të një rëndësie të madhe për komunitetin.
“Unë përgëzoj festivalin ‘Zana’ dhe e falënderoj shumë që pikërisht ka menduar që të krijojë qasje për personat e verbër me përmbledhjen e dy edicioneve dhe është bërë e mundur ë shtypen edhe në brail për të mos i përjashtuar personat e verbër dhe ata të jenë të njoftuar me punën dhe edicionet e festivalit. Me të vërtetë nata e sontme ishte shumë emocionuese. Ne pamë që po zhvillohet një punë mjaft interesante duke i promovuar krijuesit por ajo që është më e veçanta është se këto poezi e rrisin edhe rolin e komuniteteve”.
Në kuadër të edicionit të tretë të festivalit të letërsisë “Zana” është botuar libri më poezi “Zana III”, ku përfshihen 14 autorë nga vende të ndryshme të Ballaknit. Edicioni i sivjetmë vjen me temën “Kush jam unë?” dhe në ditët në vazhdim vjen edhe botimi tjetër me poezitë nga klubi i shkrimit kreativ ”Za”. Përveç kësaj, Nora Prekazi ka treguar edhe për ngjarjet e tjera në kuadër të festivalit, i cili këtë edicion del edhe jashtë Mitrovicës.
“Ne jemi festival që nuk i kemi vetëm 2-3 ditë por shtrihemi në kohë për shkak të punës që po e bëjmë. Sivjet vijmë me temën ‘Kush jam unë?” dhe në kuadër të temës së sivjetme kemi dy botime. Është botimi i ‘Zanës’ me diku 14 poetë prej regjionit të Ballkanit: Slloveni, Koraci, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut. E kemi edhe këtë botim por jo të fundit, është edhe një i cili vjen pas dhe do të jenë poezitë e klubit të shkrimit kreativ ‘Za’ të cilët janë një grup fantastik, një grumbull vajzash me të cilat do të kemi mbrëmje poetike nga Mitrovica në Shkup e edhe në Prishtinë”.
Këtë vit festivali “Zana” ka shpallur një konkurs ndërkombëtar të poezisë me temën “Vetë-reflektimi”, si një formë e terapisë së artit.