Gjithësia ka qenë kurioziteti njerëzor, e hapësira qiellore deri vonë është parë vetëm me sy. Ka shumë të rinj kureshtarë të shohim më shumë se kaq, por privohen nga vrojtimet profesionale.
Pikërisht ky ka qenë qëllimi i vrojtimit me teleskop “Ndejë Yjore”, i organizuar nga Klubi i Astronomëve Amatorë të Kosovës, me rastin e shënimit të ekuiloksit veror.
Grupmosha të ndryshme u mblodhën për të parë për së afërmi Diellin, Hënën dhe yjet.
Një ndër vrojtueset ishte edhe 6-vjeçarja Anua Berisha.
“E kam parë diellin, e verdhë, rrumbullak”, tha ajo.
Vrojtimet e tilla astrologjike të organizuara për fëmijë i vlerëson profesoresha e fizikës, Blerina Tërbunja.
“Është shumë e rëndësishme pasi në shkollat tona nuk ka një perfeksion. Ajo që mësohet në fizikë apo në astronomi nuk ka mundësi të vrojtohet. Gjithçka që mund të shihet është më e kapshme sesa pjesa teorike”, tha Tërbunja.
Gjatë organizimit, të pranishmit, përveç me teleskop, patën rastin të vëzhgojnë edhe përmes syzeve solare.
“Sot jemi mbledhur te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ për ta shënuar solsticin apo ekuiloksin veror, e për të vrojtuar diellin me filter diellor që është i vendosur në teleskop. Kemi mundur të vrojtojmë diellin, njollat e shpërthimet diellore”, u shpreh Suhel Ahmeti nga Klubi i Astronomëve të Kosovës.
Për studentin e gjeografisë, Aulon Curri, një organizimi i këtij lloji është i rëndësishëm për drejtimin të cilin e studion.
“Mendoj që është një mundësi shumë e mirë për t’i parë trupat qiellorë, sepse populli nuk është se i ka kushtet që t’i ketë për këto mjete të avancuara e të modernizuara”, tha ai.
Aktiviteti “Vrojtim me teleskop - Ndejë Yjore” u organizua në kuadër të Muajit të Çlirimit të Prishtinës.