EXPRESS

“Total Trust” si paralajmërim për botën

Në ditën e dytë të “Dokufestit” ka nisur që herët eksplorimi i temës mbi inteligjencën artificiale. Prej orarit të parë të shfaqjes së filmave me tri hapësira paralelisht, njëri prej tyre ka qenë dokumentari “Total Trust” me regjisore e producente kinezen Jialing Zhang. “Total Trust” rrëfen historitë personale të njerëzve që jetojnë në tehun e mprehtë të mbikëqyrjes nga shteti kinez. Duke shfaqur pamje rrëqethëse dhe dëshmi të dorës së parë nga disa prej aktivistëve kryesorë të të drejtave të njeriut në Kinë dhe familjeve të tyre, dokumentari tregon ndikimin e torturës dhe traumës së shkaktuar mbi qytetarët e zakonshëm nga autoritetet kineze. Vjen si një paralajmërim për tërë botën për rreziqet e teknologjisë në duart e fuqisë së pakontrolluar.

Në “Total Trust” raportohet për rreth 300 avokatë të arrestuar nën akuza për destabilizimin e Kinës. Të dhënat për mbikëqyrjen njerëzore janë në fokus. Në çdo hap secili është nën vëzhgim me anë të 120 milionë kamerave në gjithë shtetin. Në dokumentarin e prodhuar këtë vit thuhet se do të vendosen edhe rreth 400 milionë kamera në krejt shtetin deri në tre vjetët e ardhshëm. Qëllimi është të shtohet kontrolli i shtetit mbi secilin individ.

Një prej shikuesve në “DokuKino” ku është shfaqur dokumentari ishte edhe Yazeed Jinini, i cili ka ardhur nga Jordania për ta përjetuar përvojën që “DokuFesti” e ofron. “Total Trust” është filmi i parë që e ka parë. Jinini ka thënë se nuk beson që ndonjëherë do ta vizitojë shtetin kinez pas informatave që i ka marrë me anë të dokumentarit.

“Ishte me të vërtetë shumë mirë dhe natyrisht edukativ. Na mësoi të gjithëve shumë rreth asaj se si funksionojnë shumë gjëra në Kinë, se si secili është i kontrolluar me kamera dhe me çfarëdo mënyre tjetër. Derisa gjatë një skene të dokumentarit ku një prej personazheve kontrollonte nëpër dhomë se a ka ndonjë kamerë e imagjinoja se si është të ndihesh në atë mënyrë që je tërë kohën nën përcjellje, kjo është e frikshme dhe më bën që të mos dëshiroj të shkoj në Kinë asnjëherë. Është mirë që këto personazhe në dokumentar kanë folur, në të kundërtën fjala e lirë nuk do të kishte kuptim”.

“Total Trust” nënvizon edhe pyetje të tjera se si do të ishte gjendja e përgjithshme po qe se krejt ky zhvillim teknologjik do të përdorej për ta ndihmuar njerëzimin.

“Mendoj se mund të jetë mirë, mund të jenë shumë beneficiale të gjitha këto teknologji dhe inteligjenca artificiale mendoj se mund të përdoret për të mirë, por fatkeqësisht po përdoret vetëm për t’i kontrolluar njerëzit e kjo është e keqja. Nuk kam si të mos mendoj sa mirë do të ishte po të përdorej në një mënyrë që t’u ndihmonte njerëzve në vend se t’i përdorte e kontrollonte ata”.

Në mes kësaj situate monitorimi, protagonistët luftojnë secili në betejë për drejtësi. Burri i Chen është një avokat, aktivist i të drejtave të njeriut, i cili është burgosur që nga viti 2020. Që atëherë jeta e saj është monitoruar gjatë gjithë kohës. Dokumentari gjithashtu e sjell edhe një nga të vetmit gazetarë të pavarur që ka pasur guximin të hetonte zhvillimet tronditëse në vendin më të madh në botë. "Total Trust" është filmi i parë i madh që portretizon për nga afër njerëz të guximshëm që jetojnë në shoqërinë gjithnjë e më të mbikëqyrur të Kinës.

Për të fundit zhvillime të teknologjisë dhe inteligjencën artificiale interes ka pasur edhe Yazeed Jenini, që nga Kosova do të udhëtonte për në Itali, ku janë të ndaluara platformat që përdorin inteligjencën artificiale. Këtë ai e sheh si diçka pozitive.

“E kam përdorur ‘chatgpt’ njëherë të vetme, por nuk e dha atë rezultat që e prita, kështu që nuk më ka tërhequr më ta përdorja. Pas Kosovës do të shkoj në Itali dhe atje është i ndaluar, mendoj se kjo është një gjë e mirë”.

“Total Trust” vjen si bashkëprodhim në mes 8 produksioneve nga vende të ndryshme të botës, derisa “Cinephil” i ka të drejtat ndërkombëtare.