Komunikimin përmes ngjyrave, ka vendosur ta kombinojë me fuqinë e syve.
Kur dora e Marigona Tomës bashkohet me brushën, në pëlhurë krijohet një pamje magjike, e cila përafrohet me realen.
Me talentin e saj ka arritur të përzgjidhet në mesin e artistëve zviceranë për një ekspozitë që do të fillojë më 18 qershor.
“Në Zvicër është organizuar një ekspozitë nga Komuna Flamat, që gjendet mes Fliburgut dhe Bernit, ku në mesin e 30 artistëve zviceranë nga të gjitha kantonet, do ta përfaqësoj edhe unë veten apo vendin tim”, tregon Toma.
Mjafton një moment i vogël i soditjes në pikturat e saj për t’u thelluar në kompleksitetin artistik të syve.
“Veprat, të cilat do t’i prezantoj, janë një koleksion i syve, nuk e di saktësisht (numrin), por është një bagazh shumë i madh. Me këto kam dashur të ekspozohem për shkak që sytë flasin shumë. Pastaj secila pikturë imja, brenda irisit të syrit përmban një histori, një fotografi”, thotë ajo.
Kjo ekspozitë në Zvicër nuk do të shënojë herën e parë që Marigona merr pjesë, mirëpo pjesëmarrja në këtë të radhës, dëshmon profesionalizmin e saj.
“Ka qenë një rastësi, ku përmes një mikes sime i kam dërguar emailin dhe punimet e mia pas afatit, sepse ishte mbyllur thirrja. Organizatori më ktheu një përgjigje shumë pozitive ku më tha “s’ka problem pse je pas, po na pëlqejnë shumë punimet e tua dhe dëshirojmë të jesh pjesë e ekspozitës”. Ky ka qenë një motivim i mirë për mua që të vazhdoj edhe më tutje me këto organizime, edhe pse nuk ka qenë ekspozita ime e parë në Zvicër”, tregon Marigona Toma.
Në anën tjetër, ky relacion i veçantë i saj me pikturimin e syve kishte filluar më herët, për të tërhequr edhe vëmendjen e të huajve.
“Kam filluar si hobi t’i fotografoj sytë, pastaj kam filluar edhe t’i pikturoj. I kam postuar në rrjete sociale, në Instagram ku mediat më të mëdha botërore kanë shpërndarë punën time. E ky ka qenë një motivacion që unë të vazhdoj të kem një koleksion të gjerë të këtyre punimeve. Pse pikërisht i pikturoj sytë? Pasi sytë janë pasqyra e shpirtit, shpeshherë janë fjalët të cilat ne s’mund t’i themi, sytë flasin vetë”, shprehet Toma.
Këtë ekspozitë, në të cilën do të paraqitet, shqiptarja nga Zvicra e sheh si një mundësi afrimi me publikun zviceran, teksa në krijimet e saj nuk mungojnë motivet shqiptare.