EXPRESS

Shtëpi në miniaturë për bebe

Muajin që fitoi amësinë, ajo humbi vendin e punës. Por për Nita Reshtani - Peçanin ky ishte një fillim i ri.

Koha e amësisë dhe profesioni i saj i arkitektes u bënë frymëzim për të zhvilluar një pasion të ri.

Qëndrimi në shtëpi u bë një rutinë më e fortë gjatë pandemisë, e pikërisht shtëpia u bë vendi ku Nita filloi realizimin e ëndrrës së saj.

Për të, kjo nismë e re u shndërrua në një triumf mbi kohë të vështira, pasi që produktet e saj u bënë pjesë e mbi 150 shtëpive të tjera.

“’Fjongë’ ka lindur në ditë të vështira, si për mua edhe gjithë globin për shkak të pandemisë. Gjatë periudhës së lehonisë, ngela pa punë dhe doja që dëshirën dhe dashurinë që e kam për artin me e shndërru në diçka prej së cilës mund të kem përfitim financiar. Ky ka qenë fillim i ‘Fjongë’, një fillim shumë i mbarë. Prej tetë muajve që jemi në treg, i kam pasur mbi 150 porosi dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë ajo.

Ajo nuk ka menduar për një projekt të tillë pa u bërë nënë.

Nita u kushton shumë rëndësi detajeve, pasi që pothuajse e gjithë puna është e bazuar në punë dore. Një shtëpi në miniaturë për bebe përmban gjurmët e para sapo foshnja vjen në jetë.

“Në kornizën që po e shihni vendosen të dhënat e bebes, emri dhe mbiemri, data dhe ora e lindjes, pesha, gjatësia dhe përzgjedhja e ngjyrave. Mundohem që secila kornizë ta ketë veçantinë e vet qoftë edhe me detajin më të vogël. Përveç kornizës e gjithë pjesa tjetër është punëdore”, ka treguar Reshtani – Peçani.

Nita përkujdeset që punimet e saj t’i fotografojë për ndjekësit në rrjetet sociale, e rendësi të veçantë i kushton paketimit. Ajo ka një mesazh për të gjitha nënat e papuna, që shtëpinë ta bëjnë vend prej nga mund t’i zhvillojnë idetë e tyre.

“Unë i inkurajoj nënat që sadopak kanë talent për çfarëdo që ta fillojnë ta bëjnë pasi që tani rrjetet sociale po na japin mundësi të pafundme”, thotë ajo

“Fjongë”, përveç shtëpive në miniaturë për bebe, synon të rritet edhe më shumë me produkte të reja.