Në 100-vjetorin e themelimit, Orkestra e Filarmonisë së Beogradit ka interpretuar edhe në Tiranë. Në kuadër të nismës “Open Balkan” kjo orkestër, nën dirigjimin e maestros Zubin Mehta ka interpretuar “Simfoninë e shtatë” të Bet’hovenit dhe “Simfoninë fantastike” të Berliozit. Për nikoqirët kjo ngjarje është konsideruar historike.
Me sallën plot dirigjenti 87-vjeçar Mehta ka udhëhequr koncertin e Tirana qe stacioni i 12-të që e dirigjon Orkestrën e Filarmonisë së Beogradit.
Nga të pranishmit koncerti bashkë me praninë e Mehtës është përshkruar si një mbrëmje e magjishme.
“Ai më shumë se shumë dirigjentë të tjerë i ka dhënë rëndësi këtij karakteri, që në çdo kohë vallja vjen e paraqitet në formë dhe trajta të ndryshme. Dhe, edhe sot, pavarësisht nga pjekuria e madhe në moshë që ka, ai diti t’i udhëhiqte ato momente që nxirrnin në pah karakteristikat e vallëzimit beethovenian” deklaroi Zhani Ciko.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filarmonisë së Beogradit, Darko Krstiq, ka thënë se muzika nuk njeh kufij dhe beson që në kuadër të nismës “Open Balkan” bashkëpunimet do të vazhdojnë. Por, derisa ka folur për universalitetin e muzikës, ka qenë i rezervuar kur është pyetur nëse do të luanin edhe në Kosovë.
“Do ta shohim, nëse marrim ftesë…”
Por, për violinisten e parë të Orkestrës së Filarmonisë së Beogradit, Tijana Millosheviq, artistët duhet të kenë tjetër dimension. Ka thënë se është tejet e lumtur pasi pas koncertit në Beograd edhe në Tiranë janë pritur shumë mirë. Ka vërë re ngrohtësinë e publikut, njëkohësisht ka pasur fjalët më të mira për dirigjentin Mehta, i cili përvojën me Beogradin e ka qysh prej vitit 1958. Si artiste mendon se misioni i saj është që të ndërtojë ura midis njerëzve. Millosheviqi nuk është hamendësuar fare kur është pyetur nëse do të luante në Kosovë.
“Pse jo? Nëse rrethanat e ofrojnë këtë mundësi, po”
Si moment historik për krejt Shqipërinë koncertin e ka përshkruar drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina. Ka thënë se Zubin Mehta me të vërtetë është një nga kësulat e bardha të muzikës.
Pavarësisht reagimeve të kolegëve të saj në Kosovë, drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka thënë se muzika duhet t’i bashkojë njerëzit.
“Le të mos e kthejmë historinë prapa, le të tregohemi vizionarë dhe t’i themi botës se të bashkuar se jemi më të mirët”.
Me të njëjtin program koncerti i mbajtur në Beograd edhe të enjten është mbajtur në Tiranë. Të shtunën është luajtur edhe në Shkup. Edhe atje dirigjent ishte maestro Zubin Mehta.