Kulturë

Filarmonia e Beogradit harmonizohet me Shqipërinë në Ballkanin e trazuar

Një koncert ku maestro Zubin Mehta si kryepersonazh, është rrëfim më vete. Kur ai e dirigjon Filarmoninë e Beogradit në Shqipëri, është tjetri. E kur kjo ndodh me “Open Balkan” ka më shumë se një rrëfim. E qartë, me “Simfoninë e shtatë” të Beethovenit dhe “Simfoninë fantastike” të Beliozit nën dirigjimin e njërit prej emrave me të shquar, koncerti është i magjishëm, por kur lexohen edhe historitë e veprave dhe konteksti i sotëm, marrin tjetër kuptim. Në njërin prej tyre futet edhe Kosova. Ngjajnë si simfoni harmonie në kontrapunkt me realitetin midis Serbisë e Kosovës dhe Shqipërisë në mes

Pavarësisht një Orkestre të tërë në podium, kur dëgjohet e ecura dhe kërcitja e bastunit të Zubin Mehtës, skena mbushet. Duke ecur ngadalë, nuk i duhen shumë hapa që instrumentistët të ngrihen në këmbë dhe ovacionet në sallë të shpërthejnë. Mehta (87) nuk është veç dirigjent. Figura e tij duke ecur midis instrumentistëve bart njëfarë hije të padiskutueshme që ndihet fort. Dihet. Është prej dirigjentëve më të njohur në botë dhe një mjeshtër i padiskutueshëm. Këtë e përjetojnë instrumentistët bashkë me publikun. E kur është ulur në karrige për t’ia nisur koncertit me Orkestrën e Filarmonisë së Beogradit të enjten mbrëma në Tiranë, ka qenë moment i vrazhdë qetësie. Aso rastesh kur pritet të “shpërthejë” diçka e madhe.

Mehta ka dhënë sinjal që instrumentistët të nisin mbrëmjen muzikore me “Simfoninë e shtatë” të Ludwig van Beethovenit në skenën e Teatrit Kombëtar të Baletit dhe Operës në Tiranë e ka futur publikun në rrugëtimin unik muzikor. Dy ditë më herët është luajtur në Beograd. Për Mehtën, Tirana qe stacioni i 12-të që e dirigjon Orkestrën e Filarmonisë së Beogradit. Kurse për Shqipërinë, e njëjta është parë si ditë historike. Është shënuar si e tillë për skenën shqiptare të muzikës klasike. Por përtej kësaj, historia e këtij koncerti është më komplekse.

Image
Kur Zubin Mehta është ulur në karrige për t’ia nisur koncertit me Orkestrën e Filarmonisë së Beogradit të enjten mbrëma në Tiranë, ka qenë moment i vrazhdë qetësie. Aso rastesh kur pritet të “shpërthejë” diçka e madhe (Foto: Ministria e Kulturës e Shqipërisë)

“Simfonia e shtatë” nga Serbia në Shqipëri

Është mbajtur në kuadër të nismës “Open Balkan”, ku bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Anash kësaj është mbajtur në një kohë kur Kosova dhe Serbia janë në një prej momenteve më tensionuese të marrëdhënieve qysh prej luftës së vitit 1999. Aktualisht duket se bëhet fjalë për tensione zor të shërueshme.

Pikërisht në shërim e duke e rimarrë veten ka qenë Ludwig van Beethoven kur po rendiste notat për “Simfoninë e shtatë”, një prej kryeveprave të tij. Në Teplitz të Çekisë midis viteve 1811 dhe 1812 ai kishte nisur e përfunduar veprën. E magjinë e saj, publiku i Tiranës e ka përjetuar nëpërmjet Orkestrës që sivjet ka mbushur 100 vjet traditë dhe me një dirigjent që ka udhëhequr koncerte gjithandej globit. Në katër kohët e saj Simfonia prek melodi të ndryshme. Ka edhe shumë errësirë. Haresë i gjen vend, por pak rrallë. I shkon fort për shtati edhe gjendjes aktuale politike të Ballkanit. Historia tregon se derisa Beethoveni po kompozonte veprën, Napoelon Bonaparte po bëhej gati për ta pushtuar Rusinë. Beethovenit nuk mund t’i ikte kjo. Do ta shënonte në nota. E kjo Simfoni përshkruhet edhe si një prej konfrontimeve muzikore që kompozitori me nam kishte me Bonaparten. Mund të shihet edhe si një konfrontim me situatën aktuale në Ballkan e sidomos me atë midis Kosovës e Serbisë. Kjo e fundit nuk i ndal pretendimet territoriale.

Por jashtë kontekstit historik, salla e TKOB në Tiranë ka qenë nikoqire e një prej koncerteve më të përkryera në historinë e vet.

Zhani Ciko, dirigjent e violinist, ish-drejtor i TKOB, ka thënë se Zubin Mehta shquhet sidomos për interpretimin e simfonive të Beethovenit, me theks të veçantë të Simfonisë së shtatë “që është apoteoza e valles”.

“Ai më shumë se shumë dirigjent të tjerë i ka dhënë rëndësi këtij karakteri që në çdo kohë vallja vjen e paraqitet në formë dhe trajta të ndryshme. Dhe, edhe sot pavarësisht nga pjekuria e madhe në moshë që ka, ai diti t’i udhëheqë ato momente që nxirrnin në pah karakteristikat e vallëzimit beethovenian”, ka thënë Ciko pas përfundimit të kësaj vepre. Sipas tij, në këtë drejtim kjo ishte magjia e kësaj mbrëmjeje, duke e pasur të gjallë në skenë Zubin Mehtën që edhe vallen e ka sjellë të gjallë e të realizuar me një mjeshtëri të lartë artistike.

“Kështu që ishte apoteoza e vallëzimit siç thoshte Beethoveni, por gjithashtu edhe apoteoza e muzikës së një mjeshtri të madh”, ka thënë Ciko.

Image
Me entuziazëm e ka pritur publiku koncertin në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me 780 vende (Foto: Ministria e Kulturës e Shqipërisë)

“Simfonia fantastike” për dashurinë e paarritshme

Pas pauzës prej 20 minutash, anëtarët e Orkestrës që kanë performuar për herë të parë në Shqipëri bashkë me mjeshtrin Mehta janë kthyer në skenë. Tash për një tjetër vepër të rëndësishme të literaturës së muzikës klasike. “Simfonia fantastike” e Hector Berlioz i ka sjellë sallës një tjetër frymë. Një prej kryeveprave të romantizmit ka shëtitur publikun nëpër melodi që prekin dashurinë, urrejtjen e gjendjen e mbërthyer shpirtërore. Vetë Berlioz do të dashurohej në aktoren Harriet Smithson, të cilën e kishte parë në skenë duke portretizuar Ofelian. E kjo vepër buroi pikërisht nga kjo dashuri e paarritshme e kompozitorit francez, duke lënë një prej shenjave më të mëdha qysh në romantizmin e hershëm.

Momentet shpërthyese të veprës janë madhështore. Sidomos kur dirigjohet nga mjeshtri me nam botëror Zubin Mehta. E për vetë Orkestrën mysafire të Tiranës, turi në Shqipëri e më pas në Maqedoni është një moment i veçantë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filarmonisë së Beogradit, Darko Krstiq, me profesion inxhinier i mekanikës, ka thënë se janë shumë të lumtur që kanë luajtur në Tiranë bashkë me dirigjentin e madh Mehta.

“Ky është koncerti i dytë që kemi në kuadër të ‘Open Balkan’ dhe mendoj që kjo iniciativë është shumë e madhe sa u përket bashkëpunimeve midis vendeve dhe popujve të regjionit. Ne po luajmë muzikë dhe muzika nuk ka kufij dhe është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar. Jam i sigurt që bashkëpunimet e tilla do të vazhdojnë në të ardhmen”, ka thënë ai. Por pavarësisht fjalëve që muzika nuk ka kufij, ai e ka kufizuar veten kur është pyetur po për muzikë. Në pyetjen se a do të luanin edhe në Kosovë, nëse do të kishin ftesë, fillimisht është menduar pak.

“Do ta shohim, nëse marrim ftesë…”

“Do ta shohim, nëse marrim ftesë…”, ka thënë ai. Kosova me Serbinë i kanë ndarë rrugët më 1999 kur aleanca më e madhe ushtarake e botës, NATO, ndërhyri ushtarakisht kundër Serbisë me arsyetimin se ky shtet po kryente krime të rënda etnike ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Afro 1 milion shqiptarë ishin detyruar të iknin dhunshëm – shumica në Shqipëri – e mbi 10 mijë veta mbetën të vrarë. Shumica civilë. Shkaku i luftës mbetën të vdekur po ashtu mbi një mijë fëmijë. Tash, 24 vjet më pas në veri të Kosovës gjendja është e tensionuar shkaku i bandave serbe. Në anën tjetër Serbia ka mobilizuar ushtrinë me arsyetimin se duhet të jenë gati për të ndërhyrë në Kosovë. E në ditën e 14-të të këtij muaji njësitë speciale serbe janë futur brenda territorit të Kosovës duke kidnapuar tre policë. Ky akt është dënuar nga bota demokratike. Madje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte deklaruar se nëse nuk lirohen policët, “kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh”. Akulli nuk është kthyer ende, edhe pse policët nuk janë liruar. Madje marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë “ngrohur”. Dhe atë me vepra të Beethovenit dhe Berliozit. Krejt kjo në kuadër të nismës së bashkëpunimit “Open Balkan”, ku Kosova ka refuzuar të jetë pjesë shkaku i Serbisë që ende ka pretendime territoriale ndaj shtetit që ka shpallur pavarësinë më 2008.

Por për violinisten e parë të Orkestrës së Filarmonisë së Beogradit, Tijana Milosheviq, artistët duhet të kenë tjetër dimension. Ka thënë se është tejet e lumtur pasi pas koncertit në Beograd edhe në Tiranë janë pritur shumë mirë. Ka vërë re ngrohtësinë e publikut, njëkohësisht ka pasur fjalët më të mira për dirigjentin Mehta, i cili përvojën me Beogradin e ka qysh prej vitit 1958.

“Ne jemi gjeneratë e artë pasi jemi pjesë e projektit ‘Open Balkan’. Të mërkurën ishim po ashtu në plazh dhe u kënaqëm. Shumë njerëzve u pëlqente të na shohin këtu dhe ishin shumë të hapur. Si artiste mendoj se misioni ynë është që të ndërtojmë ura midis njerëzve”, ka thënë ajo. Millosheviq nuk është hamendësuar fare kur është pyetur nëse do të luante në Kosovë.

“Pse jo? Nëse rrethanat e ofrojnë këtë mundësi, po”, ka thënë ajo.

Si moment historik për krejt Shqipërinë koncertin e ka përshkruar drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina. Ka thënë se Zubin Mehta me të vërtetë është “një nga ato kësulat e bardha të muzikës”.

“Kemi një legjendë që ka filluar me 20 vjet të dirigjojë, ka ndërtuar shumë Orkestra me tingullin që jep”, ka thënë ajo.

“Le të mos e kthejmë historinë prapa”

Por disa kolegë të saj, anëtarë e udhëheqës të Filharmonisë së Kosovës, kanë dalë haptazi kundër këtij koncerti shkaku i marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. E pyetur për këtë, Voshtina ka thënë se ishte një vajzë emigrante me pasaportën shqiptare, e cila nuk bënte pjesë në komunitetin evropian dhe mundi të studiojë në një shtet fqinj dhe pastaj të shkojë edhe në SHBA.

“Mendoj se muzika nuk ka absolutisht asnjë lloj pasaporte. Ne kemi 7 nota, ne luajmë të njëjtën gjë, luajmë me të njëjtat instrumente dhe me të njëjtën forcë duhet t’i japim pushtet muzikës sonë. Nuk besoj në çarje, unë besoj në bashkim”, ka thënë ajo. Sipas Voshtinës, kur flitet për çarje, historia tregon me fakte se çfarë sjellin ato.

“Le të mos kthejmë historinë prapa, le të tregohemi vizionarë dhe t’i themi botës se të bashkuar jemi më të mirë”, ka thënë ajo, pak pasi kanë përfunduar meloditë e Berliozit.

Duke ndjekur edhe me nota dashurinë e pashpërblyer të tij, kompozitori i kishte dhënë veprës ndjesinë e sjelljes së një njeriu nën efektin e drogës. Në kohën kur e përditshmja amerikane “New York Times” në një hulumtim të gjatë ka zbërthyer lidhjet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me banda narkotrafikantësh të nivelit botëror, Tirana ka mirëpritur institucionin shtetëror të Beogradit pikërisht në kuadër të një nisme që ka edhe dorën e tij, “Open Balkan”. Zubin Mehta me Orkestrën e përkryer të Filarmonisë së Beogradit kanë zbërthyer mjeshtërisht që të dyja veprat. E tek ajo e Berliozit shpesh ka situata që kompozitori i ka paraparë si gjendje të një njeriu që ka halucinacione. Por prania e Orkestrës së Filarmonisë së Beogradit në Tiranë nuk ka të bëjë me halucinacione. Qe e vërtetë.