Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Një vend pa mure” midis sekreteve e kujtimeve

Legjenda të murimit të gruas, gjëma burrash, shtretër morgësh, shkallë nga Kalaja e Prizrenit, speca ajvari të Krushës, udhëtime drejt “fundit të botës”, kafaze kafshësh e shumëçka tjetër ka zënë vend së fundmi në Galerinë Kombëtare të Kosovës me ekspozitën “Një vend pa mure”.

Diaspora kësaj here ka sjellë me vete vepra të ndryshme arti, teksa me anë të simbolikave ka dëshmuar lidhjen me vendin e prejardhjes. Nga pesë artistet e kësaj ekspozite, katër janë shqiptare, të lindura e që jetojnë jashtë trevave shqipfolëse. Ekspozita ofron pikëpamje të ndryshme të mënyrës se si disa objekte, situata, rituale apo diçka elementare, shihen nga sytë e artistëve.

Kurator i ekspozitës është Shkëlqim Qestaj. Sikurse edhe katër artistet shqiptare edhe ai jeton në Zvicër dhe Kosovën nuk e viziton fort shpesh. Qestaj është edhe ideatori i kësaj ekspozite dhe ai që ka bërë bashkë pesë artistet. Për titullin “Një vend pa mure” ai ka dhënë një shpjegim.

“Është shumë figurative. Ka të bëjë me hapësirën kur je artist si e mendon vendin. Si e sheh shkallën në një kala në Prizren apo qysh e sheh këtë kafaz që e ke parë në Francë. Këtë video në Prizren. Pra, si e sheh një vend kur je artist. Si e sheh atë hapësirë dhe si e punon atë. Pa mure, sepse arti është universal”.

Në pëlhurë, Anjesa Dellova trajton temën e “gjëmës së burrave”. Nëpërmjet tri pikturave Dellova pasqyron disa nga gjestet dhe mimikat që burrat bëjnë gjatë këtij rituali të vjetër shqiptar.

“Jam duke punuar një tematikë që ka shumë domethënie me këtë vend. Nuk jam vetëm duke paraqitur diçka, por i kam marrë gjëmat që i bëjnë burrat për të reflektuar diçka mbi këtë temë dhe me pikturu rreth këtyre gjesteve të dhimbjes, që japin një formë të saj. E kjo më ka interesuar mua rreth punimit. Në përgjithësi më intereson se si e përfytyrojmë fytyrën e tjetrit, edhe të kafshës, por edhe këtë ndjeshmërinë e fytyrës. Por ideja nuk është vetëm për ta vizatuar fytyrën, ta bëjmë një portret. Ideja është me shku më larg, me kuptu dhe m’i kap përjetimet e fytyrës”.

Anita Muçolli idenë e thur me materiale më të forta që ngjallin një lloj ftohtësie. Katër veprat e saj marrin formë prej metalit në kombinim me xhamin, ndërsa vetëm njëra prej tyre vjen ndryshe. Bëhet fjalë për një zog tejet realist, i cili qëndron në tavan, mbi hapësirën ku gjenden veprat.

“Puna imë është fokusuar në atmosfera higjienike, sterile. Atmosfera që paraqiten pak si spitale, laboratorë ose veterinare. Unë punoj me metal që një vit. Po më duket një material shumë interesant, sepse po e krijon atë atmosferë që unë po kam qejf me e kriju”, ka thënë ajo.

Legjenda e Rozafës, Kalaja e Prizrenit e Gratë e Krushës përbëjnë triptikun e asaj që ka motivuar Djellza Azemin. Që të tria janë të lidhura për mur. Pa të, ato s’kanë kuptim.

“Dy veprat e mia, kjo me duar dhe ajo me një spec, jam frymëzuar nga legjenda e Rozafatit që është nëna që e mbyllim në mur. Këtu janë duart e mia dhe ideja ka qenë që të jetë brenda murit e edhe tjetra me vetëm një dorë. Kur ofroheni mund të shihni se nëpër vrimat e dërrasës janë ca pasqyra si diçka për t’i befasuar vizitorët.”

Artistja që jeton e punon në Gjenevë, Xheneta Imeri, apo siç njihet, jpp, në “Një vend pa mure”, godet me video e provokon me titullin “bout-de-monde”. Rrëfen për një histori personale të artistes.

“Emri i videos është ‘bout du monde’, që i bie ‘fundi i botës’ dhe për këtë emër ka një stadium në Gjenevë ku unë kam ushtruar me babin tim, ku kemi folur, ku kemi diskutuar dhe kemi mësuar çdo send: për vrapim, për jetë, për emocione e shumë gjëra të tjera. Në këtë video kam dashur të flas për rrugën që babi im e ka bërë nga Maqedonia në Zvicër dhe si ka ardhur deri në Zvicër dhe si e ka pasur të vështirë për t’u pajisur me nënshtetësi dhe vetëm për të punuar dhe se si vrapimi e ka ndihmuar për t’i fituar ato”.

Artisti e profesori universitar Mehmet Behluli ka thënë se është kënaqësi që këta artistë të rinj me rrënjë nga Kosova vijnë me këtë ekspozitë bashkëkohore.

“Ekspozita më duket shumë atraktive, shumë interesante, e cila është gjithherë në rrjedhat e artit bashkëkohor, por mua më vjen veçmas mirë që artistët e rinj këtu, pasi mundësitë për të udhëtuar i kanë të vogla, të shohin se si edhe këta tanët kanë një korrespodencë, gjuhë të ngjashme artistike e cila sot është globale falë komunikimit bashkëkohor e teknologjive të reja”, ka thënë Behluli.

“Një vend pa mure”, ka hapur dyert e artistëve të diasporës në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe aty do të jetë deri më 25 prill.

Artikuj të ngjashëm