Nik Xhelilaj, i njohur tash për karrierën e tij në Turqi, së fundmi luajti rolin protagonist në filmin shqiptar, “Policë për kokë”.
Karriera e tij e bujshme në Turqi, por edhe në vendet e tjera duket se nuk bëri që Xhelilaj të jetë larg kinematografisë në trevat shqiptare. Pas filmit të fundit me regjisor Aldo Markun, ai ka zbuluar në një intervistë për KOHËN se shumë shpejt do të rikthehet në Kosovë në një projekt filmik.
“Kemi një projekt në Kosovë, por jemi në shumë hapat e parë. Është një projekt fitues në qendër nga një regjisore relativisht e re, ka përmbajtjen e saj të parë, Vale Jashari. Unë do të kem rolin kryesor, protagonist. Me shumë gjasë jemi këtë vit me xhirime në Prishtinë”, tha Xhelilaj.
Por një tjetër projekt në Kosovë është edhe ai me aktoren Adriana Matoshi. Xhelilaj nuk ka dhënë detaje, por bëhet fjalë filmin “Lunapark”, xhirimet për të cilin kishin nisur në nëntorin e vitit të kaluar.
“Unë kam pasur fatin e mirë që kemi punuar bashkë me Adrianën në një projekt të fundit të sajin. Ajo duhet të ishte sot këtu, por sa e di unë është në xhirime. Për shkak të atij filmi ne kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira miqësore dhe profesionale. Uroj të mos mbetet aty. Kemi ide të mira, kështu që siç dihet me shumë gjasë do të kthehemi prapë këtu.”
Por, pos në Kosovë dhe Shqipëri, as Turqia nuk lihet pas nga Xhelilaj. Duke shprehur dashurinë që ka për Stambollin, tregoi se karriera e tij atje po shkon shumë mirë.
“Në Turqi, mashallah thonë turqit. Nuk po ecën keq. Ka pasur pas pandemisë uljet dhe ngritjet e veta që ishin normale për të gjithë, por që jo keq. Unë pas pandemisë udhëtova prej Gjermanisë në Turqi, sepse atje kishte më shumë angazhim. Tani sa doli një që u xhirua në Stamboll. Është në Netflix “Rise of Empires: Ottoman” sezoni I dytë. Ne po diskutojmë për sezonin e tretë. Unë aty kam rolin e grand vezirit të Mahmut Pashës, që më duket se me nënë dhe baba ka qenë pak shqiptar i Kosovës. Por, ka qenë njëkohësisht ai që ka qenë përgjegjës për kryengritjet në Ballkan. Kështu që do të ketë luftuar me Skënderbeun me shumë gjasa”, deklaroi aktori.
Xhelilaj është i njohur për rolet e tij në projektet, “Der Albaner”, “Seven Lucky Gods”, “Alive”, “3 Yol”, “Winnetou”, si dhe pjesëmarrjen në disa seriale gjermane e turke si: “We children from Bahnhof Zoo” dhe “The Great Seljuks: Guardians of Justice”. Për rolin në “Seven Lucky Gods” mori çmimin për aktorin më të mirë dhe u nderua me çmimin special të jurisë në “WorldFest-Houston International Film Festival”. Më 2011 nga European Film Promotion u fut në mesin e “Shooting Stars”.
Karrierën e bujshme e nisi me “Trishtimin e zonjës Shneider” të Pirro e Eno Milkanit, përderisa “Policë për kokë”, që pati premierën të premten e kaluar, e solli atë në një zhanër aksion e komedi.