Ka jo pak krijime artistike që i flasin jetës dhe vdekjes. Por të rralla janë ato që i qasen këtyre temave si shfaqja “La Morteana”. Me tekst të shkrimtarit të njohur italian, Pier Paolo Pasolini, kjo shfaqje është dhënë edhe para publikut në Kosovë në kuadër të Festivalit të teatrove në ambient të hapur “Prizren Fest”. Oborri i Lidhjes së Prizrenit qe hapësira më e përshtatshme ku do të mund të inskenohej “La Morteana”.
Drejtori artistik i “Prizren Festit”, Adrian Morina, ka thënë se mënyra se si kjo shfaqje është e ndërtuar dhe gërshetimi midis teatrit, baletit dhe muzikës është ajo që i ka shtyrë ta bëjnë shfaqjen italiane pjesë të programit.
“Prej shfaqjeve të cilat kanë aplikuar të jenë pjesë e ‘Prizren Festit’ ne thirrjen që ne e kemi hapur, por natyrisht edhe prej shfaqjeve që kam pasur mundësi t’i shoh edhe të kolegëve nëpër festival në Evropë e kemi përzgjedhë shfaqjen ‘La Morteana’. Një histori shumë e bukur e Pasolinit. Është një pjesë e këtij teksti që ka mbijetuar ndërsa regjisori ka mbi ndërtuar në këtë tekst dhe neve kjo pjesa e vdekjes së bukur është ajo tema qendrore që neve na ka tërheqë”.
Në vitin 1945 shkrimtari i njohur italian e kishte shkruar tekstin “La Morteana”. Por kjo pjesë e krijimtarisë së Pasolinit ishte zhdukur për një kohë. Disa vjet më vonë, në një sirtar të shtëpisë së tij u gjet një teksti që ishte pikërisht “pjesa e djaloshit”.
Regjisori i shfaqjes, Massimo Somaglino, ka treguar edhe përse personazhet e tjera nuk flasin, por vetëm vallëzojnë dhe këndojnë.
“Pasolini ka shkruar qysh në moshë shumë të re dhe pas një kohe shumë të gjatë e kanë gjetur një kopje prej një videokasete meqenëse në atë kohë nuk është se ka pasur kopje të tjera dhe kjo pjesë është shkruar vetëm për një personazh dhe ka qenë edhe e jetës së Pasolinit prej vitit 1943 deri në vitin 1947. Duke pasur parasysh respektin që është për Pasolinin, sepse është një poet shumë i madh, nuk kam mundur që t’i marr fjalitë e tij dhe t’i shkruaj e përshtat, sepse është një autor shumë i madh dhe kështu, pjesa tjetër e kastës përveç personazhet kryesor nuk flasin por kërcejnë dhe këndojnë dhe e formojnë bashkë shfaqjen ‘La Morteana’”.
Historia në shfaqjen “La Morteana” fillon me djaloshin nga fshati i cili kthehet natën vonë i dehur në shtëpi. Pas shumë përpjekjeve mezi futet në shtrat vetëm për t’u zgjuar nga zhurmat të cilat fillimisht i bën djalli më pas engjëlli dhe në fund vdekja. Edhe pa tekst kjo dallohet nga kostumet ku djalli shfaqet i veshur në të kuqe, engjëlli në të bardha dhe vdekja në të zeza.
Në rolin kryesor vjen Klaus Martini. Ai ka thënë se roli i djaloshit në shfaqjen “La Morteana” vjen në shumë dimensione edhe për nga historia edhe mënyra se si shpaloset para publikut.
“Është rol që më pëlqen jashtëzakonisht shumë edhe kjo ana e historisë , vetë personazhi i djaloshit është një gjë e veçantë. Dhe e veçanta është se regjisori ka vendosur afër meje muzikantë dhe tre balerinë edhe aktori e forcon shumë atë pak tekst që e kam unë edhe kjo e bën rolin tim rol shumë fizik dhe shumë mimik, kam nevojë me bo të madh rolin dhe na bën ta kuptojmë edhe atë që s’e dimë që ka shkruar Pasolini, kështu që roli dhe pika e rolit ka qenë e hapur sa ma shumë për njerëzit dhe kontaktet me muzikantët dhe të tjerët”.
Martini është me prejardhje shqiptare dhe të luajë në Prizren e ka cilësuar nder dhe privilegj.
“Është një emocion shumë i madh për mua, është si me qenë në shtëpi për arsye që unë jetoj në Itali qysh në moshën tre vjeꞔare, edhe kam shkruar edhe një tekst e ka emrin ‘Pipipi prezent to Albania’ në italisht dhe e kam përkthyer vetë këtu, kam ardhur në Prizren në të cilin unë flas pak a shumë për origjinën time dhe pikëpamjen që kamë uni si një fëmijë i emigrantëve dhe gjëja kryesore është se unë e ndiej Shqipërinë dhe Kosovën shtëpi dhe me luajtë këtu është emocion i madh për mua, shumë i madh”.
Përpos Martinit – i cili ishte pjesë e festivalit edhe vitin e kaluar – në shfaqje luajnë edhe Valentina Saggin në rolin e djallit, Anna Savanelli në rolin e engjëllit, Andrea Rizzo në rolin e vdekjes dhe muzikantët Mirko Cisilino, Giorgio Parsi dhe Laura Giavon.