EXPRESS

Kurs rekreativ për gratë e moshës së mesme

Çdo të martë dhe të enjte ato takohen në të njëjtin vend.

Pjesën e parë të orës e kalojnë me ushtrime aerobike. Pas një pauze të shkurtër kalojnë në ushtrime të tjera që lidhen me vallëzimin. Ushtrimin e parë të vallëzimit e përcjellin tinguj të muzikës moderne për të kaluar më pas në atë më tradicionale.

Ky kurs organizohet qe shtatë vjet rresht nga qendra për kulturë, rini dhe sport “Brez pas brezi”.

“Është një kurs, i cili ka filluar nga vetë vullneti i zonjave dhe e kemi nisur para shtatë vjetësh. Fillimisht ka qenë një numër i vogël, që është rritur gradualisht nga interesimi i grave. Është një kurs që kryesisht ka të bëjë me mundjen e lodhjes dhe stresit, energjinë negative dhe vetëdijen për shëndetin tonë”, ka treguar Grajçefci për KOHËN. “Momentalisht kursi numëron 35 zonja e sot nuk ishin të gjitha për shkak të rrethanave me pandeminë dhe janë ndarë në dy grupe. Ky kurs është rekreativ, ku një pjesë u kushtohet ushtrimeve fizike, do të thotë muskujve, fizikut dhe pjesa tjetër plotësohet me valle të ndryshme duke u nisur prej elementeve dhe hapave bazë që i kemi hapa tradicionalë në ahengjet tona, pastaj kemi edhe pjesë të muzikës ose ritmit “dance” ndërkombëtar. Përpiqemi që ta përmbushim veten sa më shumë me energji pozitive”.

Gratë që marrin pjesë në këtë kurs i përkasin moshës së mesme dhe krahas profesionit që ushtrojnë gjithë ditën, mbrëmjeve vijnë të relaksohen në këtë kurs.

Vjollca Belegu-Caka i është bashkuar së fundmi grupit të grave që e ndjekin këtë kurs.

“Ajo çfarë më bën të lumtur është se këtu ka një grup të grave dhe vajzave të profesioneve të ndryshme dhe përveç kënaqësisë artistike që na ofron ky kurs, të gjitha e kemi një emërues të përbashkët, që janë argëtimi dhe vallëzimi”, ka thënë Vjollca Belegu – Caka.

Grupi i vallëzimit kishte nisur fillimisht me katër anëtare, kurse ndërkohë është zgjeruar. Disa prej pjesëmarrësve nuk janë tërhequr nga ky kurs tash e shtatë vjet. Një prej tyre është Ajtene Pajaziti, e cila me profesion është doktoreshë.

“Aktivitetin këtu e filluam para shtatë vjetësh, ku fillimisht ishim vetëm katër anëtare dhe më pas kanë ardhur edhe anëtare të tjera. Ushtrimet zgjasin një orë, gjysmë ore, kemi ushtrime aerobi dhe më pas vazhdojmë me vallëzime popullore”, tregon ajo.

Qendra e kulturës “Brez pas brezi” do të vazhdojë të mirëpresë edhe gra të tjera që duan të zhvillojnë aktivitete që lidhen me aerobin dhe vallëzimin