Jo shpesh klarineta është në qendër të koncerteve në skenën vendore, por Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë ka shpalosur veçantinë e këtij instrumenti frymor. Në koncertin në kuadër të edicionit të tretë, të premten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, treshja polake Roman Widaszek, Pawel Krauzowicz e Bogdan Ocieszak bashkë me kolegët në vendin nikoqir, kanë thurur rrëfimin muzikor. Veçanti ka qenë premiera botërore e veprës së Andrzej Wojciechowskit, e shkruar enkas për këtë koncert.
Me dy vepra të austriakut Wolfgand Amadeus Mozart, janë eksploruar tinguj të skenave botërore. Me ato të pjesëve polake janë dëgjuar si rrallëherë në kryeqytet bashkë me premierën “LL” të kompozitorit Andrzej Wojciechowski për tri bas-klarineta.
Bas-klarinetisti Bogdan Ocieszak ka treguar se kompozitori e ka shkruar këtë pjesë veçanërisht për koncertin në Prishtinë, publik para të cilit janë paraqitur për herë të parë. Ai është prej klarinetistëve dhe profesorëve më të njohur polakë.
“Ishte ngjarje shumë e mirë, koncert i mirë me program krejt të ndryshëm, muzikë kamertale me klarinetë dhe piano nga pjesë polake, pasi kemi kompozitorë shumë të mirë. Ishin pjesë shumë të mira për piano dhe klarinetë dhe kështu ishte ideja të luajmë muzikën polake”, deklaroi Ocieszak.
Pjesa që është dhënë premierë ka sjellë frymë paqeje me melodinë harmonike e të lehtë. Tingujt që në fillim janë dominues, shkrihet në ata dytësorë, por që triumfojnë në kulminacion.
Në vepra të polakut Marcel Chyrzynsky e gjermanit Felix Mendelssohn u është bashkuar edhe pianistja Lirika Pula. Ndërkohë ritme blues janë sjellë nëpërmjet veprës “An Americal in Paris” të italianit Michele Mangani.
Pianistja Pula është shprehur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Festivalin, pasi do të marrë pjesë edhe në koncertin e marsit kur do të përmbyllet edicioni i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetave në Kosovë.
“Në program ishin pjesë të ndryshme, nga ato që luajta unë ishin shumë të famshme që luhen për dy klarineta dhe piano. Po ashtu, që ishte diçka shumë interesante dhe e re për publikun ishin veprat e kompozitorit polak Chyrzynski, të cilat unë nuk i kisha luajtur më parë”
Në kuadër të programit të Festivalit, më tej janë interpretuar edhe pjesë të tjera koncertale ku janë bashkuar klarinetistët Blerim Emerllahu e Malbora Krajku.
Edicioni i tretë kishte filluar në dhjetorin e kaluar me koncert nga ansambli i klarinetave, nën drejtim të kompozitorit shqiptar Fatos Qerimaj. Programi me ndërthurje të veprave të muzikës klasike, përpunime të këngëve të vjetra shqipe e aranzhime të këngëve për festat e fundvitit ishin interpretuar në një tjetër koncert në Prishtinë nga “Prishtina Brass”. Koncerti i suksesshëm i së premtes i ka paraprirë atij përmbyllës të edicionit të tretë, që do të mbahet më 18 mars në kryeqytet, siç ka njoftuar drejtori i festivalit, Blerim Emërllahu.
“Presim Barbara Borowicz, një soliste ndërkombëtare e klarinetës. Ajo do të vijë me një koncert recital, normalisht do të luaj edhe unë dhe një kolege e imja”.
Ai ka njoftuar se do të vazhdojë bashkëpunimi me instrumentistët polakë, ku do të marrin pjesë në festivalin që organizohet nga interpretuesit polakë.
Pos koncertit të polakes Barbara Borowicz, në pjesën e fundit të Festivalit do të mbahet edhe një masterklasë, e më pas fillojnë përgatitjet për edicionin e katërt që do të mbahet këtë vit.
Ansambli i klarinetave ka mbajtur koncertin e njëjtë edhe të shtunën në Muzeun e Luftës në Shkup. Ky është koncerti i tretë i Festivalit, i cili programin e ka shtrirë në disa etapa e që ka nisur qysh vjet.