EXPRESS

Këngë edukative për fëmijë në gjuhën shqipe

“Ga Ga Këngë për fëmijë” titullohet plaforma më e re që ka filluar realizimin dhe publikimin e këngëve për fëmijë në gjuhën shqipe.

Arianit Fazliu, Faton Selishta dhe Liridona Syla janë bashkuar për këtë iniciativë me synimin që të sjellin një platformë të dobishme për edukimin e fëmijëve përmes këngëve.

Liridona Syla përkujdeset vazhdimisht për tekstet e Këngëve të licencuara nga kanali i mirënjohur “LooLoo Kids” duke i përshtatur ato në gjuhën shqipe, në mënyrë që të jenë sa më të qarta dhe sa më edukative për fëmijët.

Kjo iniciativë ka ardhur për shkak të mungesës së përmbajtjeve të tilla në YouTube për fëmijët në gjuhën shqipe.

“Ideja për realizmin e këtij projekti ka rrjedhur nga nevoja që kanë fëmijët për të dëgjuar këngë në gjuhën shqipe. Në ‘Youtube’ gjejmë shumë pak materiale edukative për fëmijë dhe ne kemi pasur shumë diskutime se përse fëmijët dëgjojnë vazhdimisht vetëm këngë anglisht dhe pse ato këngë janë aq të mira ndërsa në gjuhën shqipe ka shumë pak të tilla dhe shumë pak taman këngë që vlejnë. Po ashtu ka kanale që kryejnë funksionin e kundërt të atij edukativit që më shumë i takojnë humorit se një realizimi serioz”, ka treguar Liridona Syla.

Deri tash, ata kanë incizuar 53 këngë me të cilat po e pasurojnë vazhdimisht kanalin “Ga Ga Këngë për fëmijë”. E misioni i tyre është që të mos ndalen me kaq.

“Të gjitha këngët janë realizuar në studion e Florent Boshnjakut, zëri që këndon këto këngë është i Margarita Daci. Gjithashtu në disa këngë ka marrë pjesë edhe Genc Salihu, deri tani i kemi realizuar 53 këngë të cilat po i publikojmë vazhdimisht, pasi që t’i lansojmë të gjitha e kemi ndërmend t’i bëjmë edhe disa këngë të tjera në gjuhën shqipe në mënyrë që fëmijët sa herë që ta lëshojnë televizionin të kenë cfarë të dëgjojnë dhe të mos ju ndalet lista e këngëve”, ka shpjeguar tutje Syla.

Këngët mund të dëgjohen nëpërmjet kanalit “Ga ga këngë për fëmijë” në Youtube.