EXPRESS

“Jehonë” me hitet e dy dekadave

Në repertorin e saj ka mbi 60 këngë të realizuara në më shumë se dy dekada karrierë. Këngëtarja Jehona Sopi i ka kthyer disa prej tyre në një formë më të veçantë. Me anë të koncertit “Jehonë” ajo ka vazhduar rrugëtimin e nisur mbi 20 vjet më parë. Koncerti recital është mbajtur në sallën “AMC”, ku Sopi ka kënduar nën shoqërimin e orkestrës simfonike, drejtuar nga dirigjenti Edon Ramadani.

“A na i more” ka qenë kënga e cila e ka hapur koncertin. “Kriza”, “Anej”, “Emocionet”, “Unë do t’i laj këmishat tua”, “Të shkuara” e “Fustani i bardhë”, ishin vetëm disa prej këngëve të cilat publiku i këndoi bashkë me Sopin duke bërë jehonë në tërë sallën.

Befasi për secilin ishte dalja në skenë e këngëtarit Armend Rexhepagiqi, i cili e ka kompozuar muzikën e një numri të madh të këngëve të Jehona Sopit.

Sopi ka thënë se një koncert i tillë ka qenë ëndërr e kamotshme.

“Unë muzikën e kam më shumë se profesion, por nuk është as vetëm pasion. E kam shumë personale, për atë asnjëherë këngët e mia nuk i quaj si rikthim, sepse është ndjesia ime e momentit. Ky koncert ka qenë një ëndërr e kamotshme e imja, jam shumë e lumtur që sonte është realizuar dhe po shpresoj që është realizuar bukur”.

Secila nga këngët e Sopit prek një periudhë të jetës së saj. Ajo i ka veçuar dy prej baladave më të njohura, të cilat i ka interpretuar me shumë emocion.

“Sigurisht ‘Të shkuara’ dhe ‘Fustani i bardhë’, por të gjitha këngët e mia prekin shumë pjesë të jetës sime, kështu që janë si fëmijët, dallojnë pak, por dashuria është e njëjtë”.

Sopi ka vlerësuar se publiku ka nevojë për koncerte të tilla. Këtë e kanë dëshmuar edhe kërkesat për bileta në koncertin e saj. Ajo ka thënë se shpreson që edhe artistët e tjerë të gjejnë inspirim në “Jehonë”.

“Unë mendoj dhe e kam parë të nevojshme një uri shumë të madhe për koncerte të tilla në Kosovë. Jam shumë e lumtur që në kompaninë e cila është marrë me organizimin nuk është ndalur telefoni për ulëse dhe e kemi pasur goxha problem. Ndoshta edhe për shkak të nostalgjisë së këngëve të mia, ndoshta edhe nga nevoja, pasi që vendi ynë ofron shumë pak ngjarje të tilla. Janë të kushtueshme, kërkojnë shumë punë. Ne kemi punuar shumë që ta realizojmë këtë koncert. Unë i kisha inkurajuar të gjithë kolegët e mi që ta marrin iniciativën dhe me shumë punë gjithçka realizohet”.

Ndër shumë të pranishëm, ishte edhe këngëtarja Leonora Jakupi, mike e kamotshme e Sopit. Ajo ka thënë se ka qenë një mbrëmje me shumë emocione.

“Unë mendoj se mbështetja morale, njëra prej mbështetjeve më të forta, njëra si pikë më e fortë, uroj që t’ia kem dalë me mbështetjen time. Jehona përveçse është një artiste e mrekullueshme, është edhe një vajzë e jashtëzakonshme dhe ajo për të cilën unë jam gëzuar më së shumti është se Jehona ka vite që po i mungon skenës dhe ky rikthimi i saj është rikthimi më i mirë i mundshëm. Uroj që të jetë një motiv edhe për artistët e tjerë edhe në kushte më të favorshme për realizimin e koncerteve të tilla, që të marrin iniciativa dhe të realizojnë koncerte të këtij formati”.

I tërë koncerti u drejtua nga dirigjenti Edon Ramadani. Ai ka thënë se provat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i orkestrës bashkë me Sopin e kanë bërë të mundur që koncerti të tingëllojë në atë mënyrë. Ka orkestruar muzikën për disa prej këngëve të interpretuara në koncert.

“Do të kisha filluar duke thënë se ka qenë shumë kënaqësi me qenë pjesë e këtij projekti në cilësinë e atij grupi të madh që e pamë. Vetë fakti që kemi pasur një numër të madh të instrumentistëve dhe të cilët janë varur nga baketa ime, natyrisht është një përgjegjësi e madhe. Është një koncert që shpresoj se do ta hapë rrugën edhe për artistët e tjerë të zhanreve të tjera jo klasike që të bëjnë koncerte në këtë formë”.

Orkestrimin koncertal të këngëve të interpretuara të premten mbrëma, pos Ramadanit, e kanë bërë edhe Visar Kuçi, Valton Beqiri dhe Armend Xhaferi. Përveç si një festë kënge, koncerti erdhi edhe si dedikim për t’iu dhënë zë grave nën moton “Jepi krah’ vetes”.