Entuziastët e muzikës klasike janë mbledhur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare për koncertin që shënoi mbylljen e festivalit “DAM”. I titulluar “Flutestravaganza”, ky koncert solli në skenë flautisten e njohur italiane Luisa Sello, së cilës iu bashkuan edhe dy studentet e saj në doktoratë, Jeta Gërqari dhe Zanë Abazi. Programi erdhi si një përzierje magjepsëse e kompozimeve klasike nga Antonio Vivaldi, Giorgio Tortora dhe Nino Rota. Edhe më shumë jetë këtyre kompozimeve u dha Orkestra e të Rinjve të Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Kushtrim Gashi. “Flutestravaganza” shpejt dëshmoi se ishte një koncert me shkëlqim artistik.
Luisa Sello me origjinë nga Italia, vendlindja e shumë legjendave të muzikës klasike, ka zbukuruar skena prestigjioze anembanë globit, duke e lënë audiencën të mahnitur për aftësitë e saj muzikore. Prania e saj në festivalin “DAM” ishte një nder dhe një dëshmi e përkushtimit të Festivalit për të shfaqur emra të klasës botërore.
Për koncertin përmbyllës të Festivalit, Sello ka thënë se e ka pritur prej kohësh.
“Ka javë që e kam pritur këtë koncert. Studentet e mia, Jeta dhe Zana nga Kosova më kanë përgatitur tash e një kohë të gjatë për këtë mbrëmje. Kam qenë shumë e emocionuar dhe fakti që kam qenë më të gjithë studentët e masterklasës duke luajtur bashkë po më jep një ndjenjë sikur të jem në shtëpi”.
Programi për “Flutestravaganza” u kurua për ta çuar audiencën në një udhëtim nëpër kohë dhe emocione, duke shfaqur kompozime nga tre maestro italianë, si: Antonio Vivaldi, Giorgio Tortora dhe Nino Rota.
Koncerti u hap me ikoniken e Vivaldit “Koncert për dy flaute dhe harqe”, që e çoi menjëherë publikun në epokën e Barokut. Interpretimi i Luisa Sellos dhe Jeta Gërqarit shpërfaqi teknikë pa të metë e i dha jetë çdo note.
Pas një prej kryeveprave të Barokut, programi u fut në sferën bashkëkohore me “Two stars” të Giorgio Tortoras.
Sello dhe Jetë Abazi lundruan në meloditë e ndërlikuara dhe harmonitë komplekse, duke e lënë audiencën të mahnitur nga aftësitë e tyre.
Abazi nuk e ka vlerësuar si sfidues programin për to si soliste, porse bashkëpunimi me Orkestrën ka kërkuar më tepër përkushtim.
“Programi nuk ka qenë i vështirë për neve si soliste, mirëpo ka qenë e vështirë me mbajt prova me Orkestrën dhe për një kohë të shkurtër me mbërri me bashku krejt këtë program, sepse numri i ditëve të provave me Orkestër ka qenë vetëm dy ditë, ajo ka qenë pak sfidë, por si total po mendojmë që ia kemi dalë”.
Segmenti i fundit i mbrëmjes iu kushtua kompozitorit të filmit Nino Rota, veprat e të cilit kanë shënuar disa nga filmat më ikonikë në historinë e kinematografisë. Orkestra dhe flautistet bashkëpunuan pavërejtshëm për të sjellë në jetë "Amarcord Suite" të Rotës. Meloditë jashtëzakonisht të bukura zgjuan një ndjenjë nostalgjie.
Orkestra e të Rinjve të Kosovës, një grup muzikantësh të rinj e të talentuar, me përkushtim bëri që rrugëtimi nëpër edicionin e 18-të të festivalit “DAM” të përmbyllet në këtë mënyrë. Të udhëhequr nga dirigjenti dinamik Kushtrim Gashi, Orkestra tregoi aftësi dhe pasion të jashtëzakonshëm gjatë gjithë mbrëmjes.
Krahas tërë koncertit të shtunën e kaluar, dirigjenti Gashi ka theksuar se janë pikërisht këta muzikantë të rinj që e mbajnë edhe më afër Kosovës.
“Ka shumë potencial. Unë jetoj në Gjermani dhe pikërisht ky potencial më lidh me Kosovën, unë vetëm për shkak të këtij potenciali të kësaj rinie mbaj lidhjet me Orkestrën e të Rinjve dhe shoh që çdo vit ndryshon niveli dhe çdo vit shkon lart e më lart, kështu që potenciali është shumë i madh dhe neve na mbetet që t’i përkrahim ashtu siç po bën edhe Festivali”.
“Flutestravaganza” nuk u përmbyll thjesht si një koncert. Ishte një përvojë magjike që kapërceu kohën dhe vendin. Publiku u nis në një udhëtim nga madhështia e periudhës së Barokut përmes kompleksitetit të kompozimeve bashkëkohore deri te peizazhi i ëndrrave kinematografike të Nino Rotës. Çdo pjesë ka qenë si një dritare në shpirtin e kompozitorëve, interpretuar me mjeshtëri nga Luisa Sello dhe studentet e saj bashkë me Orkestrën.
Festivali “DAM”, i njohur tashmë për përkushtimin për të festuar muzikën dhe për të nxitur shkëmbimin kulturor, ka arritur edhe një herë të bashkojë artistë nga e gjithë bota. Të suksesshëm e ka vlerësuar drejtoresha artistike e Festivalit, Rreze Kryeziu, edicionin e 18-të.
“Edicioni i 18-të e kam thënë disa herë ka rezultuar të jetë, përveç se i suksesshëm edhe më përzemër për neve, sepse po e bën njëfarë rikthimi në kohë ashtu siç kemi filluar, me të rinj, me misionin tonë ashtu edhe po e përfundojmë edicionin e 18-të. Natyrisht që përveç kënaqësisë së madhe në kemi arritur të rrumbullakojmë edhe disa nga punëtoritë e masterklasat ndoshta nga më të rëndësishmet që i kemi pasur kohët e fundit më dy pedagogë shumë të njohur”.
Në botën e muzikës, momente si “Flutestravaganza” janë të rralla. Kujtojnë ndikimin e thellë që muzika mund të ketë në jetë, duke tejkaluar gjuhë e kultura për të prekur thelbin e njerëzimit.